Mbi 40 të plagosur, 6 prej të cilëve në gjendje të rëndë, është bilanci i një sulmi terrorist të ndodhur paraditen e sotme në Tel Aviv, ku një kamion mori para një stacion autobusi pranë Gillot.
Forca të mëdha policore janë dislokuar në zonë, pasi Gillot, që ndodhet në veri të Tel Avivit, është shtëpia e selisë së shërbimit sekret izraelit, Mossad.
Aty ndodhen po ashtu disa njësive të inteligjencës së IDF, duke përfshirë grupin e profilit të lartë Njësia 8200 e sinjaleve të inteligjencës.
Shërbimi izraelit i emergjencës fillimisht njoftoi se po trajtonte dhjetëra të plagosur, me incidentin që u regjistruar në orën 09:08 (ora e Shqipërisë), ku një kamion u përplas me një stacion autobusi në Aharon Yariv Avenue në Ramat Hasharon.
“Shërbimet e qendrës së ndihmës së menjëhershme aktualisht po ofrojnë kujdes për dhjetëra të plagosur në terren”, sqaroi Magen David Adom nga shërbimi i ambulancës izraelite.
Në një njoftim të mëvonshëm, Magen David Adom foli për mbi 40 të plagosur të cilët u dërguan në spital, 6 prej tyre në gjendje të rëndë.
Mediat lokale raportuan se disa nga të plagosurit ishin pensionistë që sapo kishin zbritur nga një autobus në stacion dhe do të vizitonin një muze në zonë.
Sipas Times of Israel, autoritetet po e shqyrtojnë incidentin si një sulm terrorist, ndërsa drejtuesi i kamionit që goditi dhjetëra njerëz është një arabo-izraelit që jeton në Kalanseva, i cili është vrarë në vendngjarje.
Policia izraelite ka bërë me dije se shoferi i kamionit ishte nisur me shpejtësi të madhe drejt njerëzve. Dëshmitarët okularë të përplasjes thanë për Ynet se teksa po zbrisnin nga autobusi "një kamion erdhi me shpejtësi dhe na goditi".








