BOTA /

VIDEO/ Pas 5 vitesh në arrati, bie në pranga bosi i rrezikshëm i mafias italiane

Gesualdo ishte në kërkim që nga viti 2020, pasi arratisi gjatë një operacioni të madh policor, dhe ishte në listën e të arratisurve më të rrezikshëm. Ai kishte marrë dënimin fillestar prej 12 vjet burg për pjesëmarrje në një organizatë mafioze.

Shkruar nga Versus
VIDEO/ Pas 5 vitesh në arrati, bie në pranga bosi i rrezikshëm i
Leonardo Gesualdo dhe momenti i arrestimit të tij

Një nga bosët më të njohur të mafias italiane, i cili kishte qenë në arrati për pesë vjet, u arrestua mëngjesin e sotëm nga karabinierët pas një operacioni të befasishëm dhe spektakolar. Bëhet fjalë për Leonardo Gesualdo, 39-vjeç, nga Foggia, një figurë kyçe e organizatës kriminale “Società Foggiana”.

Gesualdo ishte në kërkim që nga viti 2020, pasi arratisi gjatë një operacioni të madh policor, dhe ishte në listën e të arratisurve më të rrezikshëm. Ai kishte marrë dënimin fillestar prej 12 vjet burg për pjesëmarrje në një organizatë mafioze.

Në operacionin e sotëm, karabinierët e GIS (Njësia Italiane e Operacioneve Speciale) hynë me forcë në një shtëpi në periferi të Foggias dhe e kapën në gjumë, duke mos hasur rezistencë. Gjatë kontrollit u gjet një pistoletë me gjashtë fishekë në karikator.

Leonardo Gesualdo është i lindur në vitin 1986 dhe ka një histori kriminale të gjatë, përfshirë armë, drogë, zhvatje dhe akuza për vrasje. Ai ka qenë pjesë e listës së të arratisurve të rrezikshëm të Ministrisë së Brendshme italiane dhe ka shpëtuar ekzekutimit të një urdhri paraburgimi në lidhje me operacionin “Decima Bis”, një hetim i prokurorisë Antimafia të Barit.

Hetimi “Decima Bis” i mundësoi autoriteteve të rindërtonin strukturën funksionale dhe organizative të tre grupeve të Società Foggiana, që përplaseshin për kontrollin e aktiviteteve të paligjshme në qytet. Gjithashtu, u zbulua ekzistenca e një “fundi të përbashkët”, nga i cili mbuloheshin pagat e anëtarëve, shpenzimet operative të organizatës dhe shpenzimet ligjore të të burgosurve që i përkisnin kësaj strukture.

Arrestimi i Leonardo Gesualdo shënon një goditje të rëndësishme kundër një prej grupeve mafioze më të fuqishme në jug të Italisë.

Poll