AKTUALITET /

Mohoi pavarësinë e Kosovës, kush është Demo Berisha, shqiptari i propozuar për Ministër nga Aleksandar Vuçiç

Berisha ka lindur në Kosovë, ku ka kryer shkollën fillore, për të vazhduar më tej studimet në Sarajevë në shkollën ushtarake, dhe pastaj në Novi Sad.

Shkruar nga Versus

Mohoi pavarësinë e Kosovës, kush është Demo Berisha,

Demo Berisha, shqiptar me origjinë nga Peja, është propozuar për postin e Ministrit për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave në Qeverinë e Serbisë. Ai është një figurë e njohur për qëndrimet e tij pro-serbe dhe për mohimin e pavarësisë së Kosovës.

Berisha ka lindur në Kosovë, ku ka kryer shkollën fillore, për të vazhduar më tej studimet në Sarajevë në shkollën ushtarake, dhe pastaj në Novi Sad. Në karrierën e tij profesionale ka shërbyer si pjesëtar i ushtrisë jugosllave dhe më pas ka përfunduar karrierën në ushtrinë e Serbisë, duke punuar për një kohë të gjatë në policinë ushtarake në Novi Sad.

Në një intervistë për mediat lokale serbe, Berisha ka deklaruar se “atdheu i tij është Serbia”, duke përfshirë në këtë edhe Republikën e Kosovës. Ai vazhdon të përdorë termin “Kosova dhe Metohija”, sipas nomenklaturës zyrtare serbe, dhe thotë se nuk e ndan Serbinë në pjesë të brendshme dhe Kosovë.

Qëndrimi i tij nuk ka ndryshuar as përballë krimeve të luftës të kryera nga ushtria serbe në Kosovë gjatë vitit 1999. Ai thotë se beson në Kushtetutën e Serbisë dhe e konsideron vendin të pandashëm.

Në vitin 2014, Berisha themeloi organizatën joqeveritare “Ama e Shqiptarëve të Serbisë” (Matica Albanaca Srbije – MAS), e cila sipas tij numëron rreth 4600 anëtarë vetëm në Vojvodinë, ndërsa në shkallë vendi pretendon se ka mbi 180.000 shqiptarë në territorin e Serbisë. Sipas tij, qëllimi i organizatës është avancimi i të drejtave të shqiptarëve dhe përmirësimi i marrëdhënieve shqiptaro-serbe.

Propozimi i Berishës për një post qeveritar ngjall interes dhe debat, sidomos për shkak të pikëpamjeve të tij kontraverse në raport me shtetin e Kosovës dhe identitetin kombëtar shqiptar. /Versus.al/

Poll
Më poshtë do të gjeni dhe kandidatët e Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike për të gjitha qarqet: