Çfarë do të gjeni në brendësi
*Kuvendi u mblodh sot në seancë maratonë për projektbuxhetin 2026 dhe paketën fiskale. I pranishëm ishte edhe kryeministri Edi Rama pas disa muajsh mungesë. *Me të marrë fjalën, deputetët e PD në akt proteste u ngritën në këmbë duke i kthyer shpinën. Ndërsa kryeministri tha se një gjë e tillë nuk e shqetësonte, përkundrazi i pëlqente më shumë kur nuk i shihte në fytyrë. Situata mbeti e tillë për 40 minuta që Rama mbajti fjalim. *Në foltore kreu i qeverisë dha disa shifra të institucioneve evropiane sa i takon situatës ekonomike në Shqipëri dhe foli për detajet e projektbuxhetit të 2026-ës duke u përqendruar tek rritja e pagës minimale dhe e pensioneve. Mes të tjerash nënvizoi se bizneset e vogla deri në vitin 2029 nuk do të paguajnë taksa. *Sa u takon akuzave të PD për Tunelin e Llogarasë, Rama tha se është i njëjti arsyetim i tyre si për miliona eurot që pretendojnë se janë vjedhur për inceneratorët.
"Faktet mbeten", Rama: Kemi vërtetuar të gjitha ato që kemi thënë ndër vite

Fjalën në foltoren e Kuvendit për projektbuxhetin e 2026-ës, Rama e nisi duke dhënë shifra të institucioneve ndërkombëtare sa i takon varfërisë në vend.
Ai tha se vendi ynë ka më pak rrezik për varfërinë krahasuar me vendet e tjera të rajonit të Ballkanit. Sipas tij, në këtë pikë Shqipëria është më pranë mesatares së përgjithshme të vendeve të BE.
“Ndërkohë që dua ta nis pikërisht me varfërinë dhe me të ardhurat. Sepse pikërisht këtu tek raporti me varfërinë qëndron edhe arsyeja pse ne jemi sot në mandatin e katërt. Dua ta nis duke cituar Eurostatin, institutin europian të statistikave. Shqipëria ka nivel më të ulët rreziku për varfërinë sesa Serbia, Mali i Zi, Bullgaria dhe Turqia. Shqipëria është më pranë mesatares së BE në këtë aspekt. Këtë e thotë Eurostati, jo unë.
Po vazhdoj me një tjetër burim serioz që përsëri nuk është burim qeveritar lidhur me ndryshimin e peshës së ushqimit në buxhetin e familjeve shqiptare që dikur ishte mbi 50% dhe sot është nën 40%. Të ardhurat e familjeve shqipare janë rritur 4-5% në vit përgjatë 2021-2024 dhe po e mbyll me FMN i cili jo më larg se pak ditë më parë tha se Shqipëria është ndër ekonomitë me rritjen më të shpejtë në Europë. Me politika fiskale dhe monetare të kujdesshme. Këto janë burime të padyshimta për pavarësinë e plotë të tyre nga qeveria e Shqipërisë”- tha Rama.
Sipas tij, qeveria që drejton ka arritur të mbajë të gjitha premtimet e bëra ndër vite.
“E mira e kësaj pune që gjithmonë është në favorin tonë është se fjalët i merr era, faktet mbetet. Ato që dëgjojnë njerëzit nga foltorja e këtij kuvendi kanë mundësi t’i vërtetojnë në muajt dhe vitet që vijnë siç i kanë vërtetuar të gjitha ato që kemi thënë. Kështu që sa më shumë do të thuhet se ne nuk po rrisim pensionet, aq më shumë pensionistët do binden se nuk ka asnjë alternativë tjetër në Republikën e Shqipërisë për ta dhe për nipërit e mbesat e tyre sesa PS”- shtoi kreu i qeverisë. Versus.al
“Tuneli i Llogarasë si 450 mln e inceneratorëve”, Rama-deputetëve të PD: Mbetët si kashtë e k*qe në protestë

Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij në Kuvend përmendi edhe ato të cilat opozita i konsideron si ‘afera korruptive’. Sa i takon inceneratorëve, Rama tha se shifrat e fryra për shumën që pretendojnë demokratët janë të vijës logjike të Lulzim Bashës, ndërsa tha se e njëjta situatë me inceneratorët është edhe me tunelin e Llogarasë, duke nënkuptuar shpifjet e PD-së.
“Ndërkohë që dëgjova këtu se në Shqipëri paska një taksë korrupsioni dhe që me 450 milionë euro të inceneratorëve mund të bëhej një rritje e pensioneve. Problem është që ky 450 milionë euroshi është thjesht aritmetika e atij që mua më mungon shumë, por që e kujtoj përmes jush, 7*7=42. Gënjeshtrat tuaja të vetëdijshme ose jo, janë me dhjetëra herë mbi realitetin
Përsa i përket tunelit të Llogarasë, dua të them se ai 50 milionëshi është si 450 milionëshi i inceneratorëve dhe në ndërkohë… (rrini fort ligjit andej) sot pikërisht se drejtësia është e pavarur, shqiptarët i refrohen drejtësisë dhe jo atyre që duan të bëjnë prokurorin rrugëve dhe që pastaj kur dalin në rrugë mbeten kashtë e koqe siç më thanë se kishin mbetur para dy netësh”- tha Rama.
Gjatë gjithë kohës deputetët e PD i kthyen shpinën Ramës duke i lënë të kuptohet se fjalët e tij nuk kanë asnjë vlerë për ta. Kjo solli edhe reagimin e kryeministrit ndaj tyre herë pas here. Versus.al
E pazakontë në Kuvend, deputetët e PD i kthejnë shpinën, Rama: Më mirë sesa t'ju shoh fytyrën

Një moment i pazakontë është shënuar sot në Kuvend teksa kryeministri Edi Rama mori fjalën për të prezantuar projektbuxhetin 2026. Deputetët e PD i kanë kthyer shpinën në shenjë proteste. Ndërsa kjo nuk mbeti pa u ironizuar nga ana e Ramës i cili tha se preferonte më
“Po edhe të ankoheni për ligjin, edhe të më ktheni mua kurrizin sikur nuk shkon mor burrë. Megjithatë shumë faleminderit për këtë lehtësim që i bëni fjalimit tim sepse më mirë shpina sesa fytyra juaj. Jam thellësisht i prekur nga konstatimi i zotit Noka i cili akuzoi kryetarin e Kuvendit për besnikëri të tepruar ndaj kryetarit të partisë ndërkohë që ai e ka besnikërinë ndaj Beirshës monopol. Madje unë do ta quaja Besnik Noka”- u shpreh Rama. Versus.al
Kuvendi mblidhet sot në seancë maratonë, shqyrtohen në parim pr/buxheti 2026 dhe paketa fiskale

Sot në orën 10:00, Kuvendi i Shqipërisë mblidhet në seancë plenare maratonë për të shqyrtuar projektbuxhetin e 2026-ës dhe paketën fiskale e cila është paketa ligjore më e rëndësishme e vitit pasi fal detyrimet e prapambetura të disa viteve më parë për qindra biznese.
Partia Demokratike e ka kundërshtuar paketën fiskale, duke thënë se ajo ka ardhur vonë në Kuvend dhe nuk ka kohë në dispozicion për një shqyrtim serioz. Projekt buxheti i vitit 2026 është 8.8 miliardë euro, dhe shoqërohet me 8 projektligje si paketë fiskale, që u diskutua në komisione parlamentare me procedurë të përshpejtuar.
Do të diskutohen në parim 8 projektligjet që përfshin buxheti, pesë prej të cilave janë aktualisht në fuqi dhe ndryshojnë, ndërsa 3 janë projektligje të reja.
Rendi i ditës për sot:
Projektligji "Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9920, datë 19.5.2008, "Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë"”, të ndryshuar. (Shqyrtimi në parim)
Projektligji "Për disa ndryshime në ligjin nr. 92/2014 “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë". (Shqyrtimi në parim)
Projektligji "Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 29, datë 30.3.2023, "Për tatimin mbi të ardhurat"”. (Shqyrtimi në parim)
Projektligji “Për disa shtesa në ligjin nr. 9632, datë 30.10.2006, "Për sistemin e taksave vendore"", të ndryshuar. (Shqyrtimi në parim)
Projektligji "Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit"", të ndryshuar. (Shqyrtimi në parim)
Projektligji "Për marrëveshjen e paqes fiskale”. (Shqyrtimi në parim)
Projektligji "Për rivlerësimin e pasurisë së paluajtshme". (Shqyrtimi në parim)
Projektligji "Për fshirjen, shuarjen dhe pagesën e detyrimeve tatimore ndaj administratës tatimore qendrore e të detyrimeve të pagueshme në doganë”. (Shqyrtimi në parim)
Projektligji "Për buxhetin e vitit 2026". (Shqyrtimi në parim). Versus.al
