Live Updates /

Sot dhe nesër seancë maratonë/ Debate e përplasje për KLSH, ngrihet nënkomisioni 'vëzhgues' me bekimin e PS-PD

*Kuvendi nisi sot seancën e fundit të këtij sesioni parlamentar që pritet të zgjasë edhe ditën e nesërme kur do të votohet drafti i Kodit Zgjedhor të dakordësuar mes PS dhe PD dje në komisionin e ligjeve. *Në nisje të seancës u miratuan disa projekt-rezoluta të raportimeve të bëra në seancat e kaluara nga drejtues të institucioneve të pavarura si dhe ngritja e një nënkomisioni që do të monitorojë punën e Kontrollit të Lartë të Shtetit. *Deputetët demokratë shfaqën pakënaqësi lidhur me mos-raportimin e kreut të KLSH në Kuvend duke akuzuar mazhorancën se po përpiqet t’i mbyllë gojën institucionit të pavarur lidhur me gjetjet skandaloze në disa fusha të shtetit. *Mazhoranca e mohoi një gjë të tillë, duke argumentuar se KLSH nuk u ishte përgjigjur disa prej pyetjeve të drejtuara dhe prandaj nuk mund të votohet një projektrezolutë për institucionin. Ndërsa nuk munguan as debatet me fyerje personale mes deputetëve Braçe e Bardhi. *Në seancë u diskutua edhe për interpelancën e kërkuar nga deputetja Ina Zhupa me ministrin Blendi Gonxhe sa i takona marrjes në Menaxhim të Butritit nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit.

Shkruar nga Versus

Çfarë do të gjeni në brendësi

*Kuvendi nisi sot seancën e fundit të këtij sesioni parlamentar që pritet të zgjasë edhe ditën e nesërme kur do të votohet drafti i Kodit Zgjedhor të dakordësuar mes PS dhe PD dje në komisionin e ligjeve. *Në nisje të seancës u miratuan disa projekt-rezoluta të raportimeve të bëra në seancat e kaluara nga drejtues të institucioneve të pavarura si dhe ngritja e një nënkomisioni që do të monitorojë punën e Kontrollit të Lartë të Shtetit. *Deputetët demokratë shfaqën pakënaqësi lidhur me mos-raportimin e kreut të KLSH në Kuvend duke akuzuar mazhorancën se po përpiqet t’i mbyllë gojën institucionit të pavarur lidhur me gjetjet skandaloze në disa fusha të shtetit. *Mazhoranca e mohoi një gjë të tillë, duke argumentuar se KLSH nuk u ishte përgjigjur disa prej pyetjeve të drejtuara dhe prandaj nuk mund të votohet një projektrezolutë për institucionin. Ndërsa nuk munguan as debatet me fyerje personale mes deputetëve Braçe e Bardhi. *Në seancë u diskutua edhe për interpelancën e kërkuar nga deputetja Ina Zhupa me ministrin Blendi Gonxhe sa i takona marrjes në Menaxhim të Butritit nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit.

7 Postime
9 MUAJ ME PARE

Pse nuk i transmetoi RTSH ndeshjet e kombëtares? Ndocaj: Nuk kishim para për ti blerë

Sot dhe nesër seancë maratonë/ Debate e përplasje për

Anëtari i Këshillit Drejtues të RTSH-së, Engjëll Ndocaj ka raportuar në parlament në lidhje me raportin e punës për vitin 2023.

Gjatë pyetjeve të bëra, ai është përgjigjur edhe për faktin se, pse RTSH-ja nuk transmetoi ndeshjet e kombëtares.

Në përgjigjen e tij, Ndocaj tha se, RTSH nuk kishte para për të blerë ndeshjet.

"UEFA dhe FIFA na kishte sjellë fund të vitit 2022 paketën e plotë për të blerë 42 ndeshje të kombëtares së Shqipërisë.

Shuma që ata kishin sjellë ishte shumë e madhe, bëhej fjalë për 1.2 milionë euro.

Në fund të vitit 2022, i thamë drejtorit të atëhershëm që kemi vetëm 500 mijë euro, shkoni në FIFA dhe UEFA e thojini se jemi anëtarë të EBU-së, dhe kaq para kemi.

Shkoi e negocio dhe nuk u bë fjalë, ata nuk na i dhanë ndeshjet e kombëtares, sepse ne nuk kishim para ti blinim.

Dhe ndeshjet u blenë nga ata që kishin më shumë para.

Por ne po transmetojmë Olimpiadën e Parisit", tha ndër të tjera, anëtari i Këshillit Drejtues të RTSH-së, Engjëll Ndocaj.  Versus.al

9 MUAJ ME PARE

Basha sulmon kolegët deputetë: "Karikatura e paçavure. Nuk i del kush për zot pazarit"

Sot dhe nesër seancë maratonë/ Debate e përplasje për

"Karikatura e paçavure",  - kështu i cilësoi ish-kryedemokrati Lulzim Basha kolegët e tij demokratë që firmosën dakordësinë për Reformën Zgjedhore me Partisë Socialiste. Sulmet e ashpra të Bashës u adresuan dhe ndaj Sali Berishës.

Ata që na kanë akuzuar si bashkëpunëtorë të qeverisjes më të korruptuar të këtyre 34 viteve, tashmë janë ortak të përbashkët për të shkrirë praktikisht në një Partinë Socialiste të Shqipërisë dhe Rithemelimin, pra për t’i rikthyer në pikën fillestare para Bing Bang-ut të Katovicës”, - tha Basha gjatë fjalës së tij në “tryezën e partive politike dhe këshilltarëve bashkiakë të forcave të Harkut Opozita”

 “Atentat ndaj demokracisë shqiptare”, i konsideroi Lulzim Basha listat e mbyllura, sikurse parashikon drafti për ndryshimet në kodin zgjedhor, i dakorduar mes PS-së dhe PD-së.

Sipas Bashës, marrëveshja e arritur mes palëve nuk është bërë për interes të qytetarëve, por të vetë deputetëve.

Këta kanë marrë këtë vendim që t’i ndajnë listat e deputetëve në “bussines class” për vete dhe në karroceri për të tjerët. Të sigurojnë një vend për vete se e din që nuk i vonon as shtëpia e tyre”, - tha Basha.

Betejën nuk e kanë patur për parime, bindje, e kanë patur për të siguruar një vend për veten e tyre. Kur e mendoj këtë, edhe mua me kap turpi për këta paçavure e karikatura që iu dha mandati i deputetit”, - u shpreh ai më tej.

Sipas Bashës, askush nuk i del për zot pazarit të mbrëmshëm, ndërsa palët mundohen ta shtyjnë tek njëri-tjetrit, për t’ja lënë njëri-tjetrit në derë.

"Por kjo vetëm i demaskon si të vetëdijshëm për krimin që po bëjnë gati të kryejnë për interesat e tyre kundër qytetarëve e demokratëve shqiptarë. Ajo që po bëjnë, nuk ka asnjë motiv tjetër përveç interesit të tyre personal. Këta njerëz që prej kohësh kanë humbur çdo moral përballë votuesve, dhe kanë votuar me Edi Ramën për të liruar të korruptuarit e Edi Ramës, bënë pazar në mënyrë flagrante të merrnin vendimin e turpshëm të 11 qershorit. Këta kanë marrë këtë vendim që t’i ndajnë listat e deputetëve në “bussines class” për vete dhe në karroceri për të tjerët. Të sigurojnë një vend për vete se e din që nuk i vonon as shtëpia e tyre. Kurrë më parë Shqipëria nuk është gjetur në mëshirën e një grupi njerëzish kaq të vegjël. Betejën nuk e kanë patur për parime, bindje, e kanë patur për të siguruar një vend për veten e tyre. Kur e mendoj këtë, edhe mua me kap turpi për këta paçavure e karikatura që iu dha mandati i deputetit.” – tha mes të tjerave ish kreu i Partisë Demokratike Lulzim  Basha

 

 

 

 

 

 

9 MUAJ ME PARE

Do të monitorojë KLSH, Kuvendi voton ngritjen e nënkomisionit! Pavarësisht kritikave, opozita e drejton

Sot dhe nesër seancë maratonë/ Debate e përplasje për

Në nisje të seancës plenare të sotme, Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar ngritjen e nënkomisionit për Kontrollin e Sektorit Publik që do të ketë si objekt pune monitorimin e punës së Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Drejtimin e nënkomisionit e ka marrë opozita me kryetare deputeten Emilja Koliqin, zv.Kryetare Antoneta Dhima dhe me anëtarë Enslemvera Zake, Pranvera Sula. Anëtar i këtij nënkomisioni ishte caktuar edhe deputeti demokrat Edmond Spaho i cili njoftoi dorëheqjen para se të niste seanca.

Ai e cilësoi këtë nënkomision si tentativë për të “kapur” KLSH-në pavarësisht se në krye do të jetë deputetja demokrate Koliqi.

“Ka tentativë që të hedhë hallkat në kreun e KLSH-së. Me një gjuhë rrugaçërore i drejtohej institucionit të KLSH. Është i vetmi institucion që ka denoncuar sterilizimin, inceneratoret. S’keni vullnet politik. Prandaj u tërhoqa. Ua kam thënë këtë edhe aleatëve. KLSH rekord në komisione për 4 ditë. Ju jeni të paturp dhe arrogantë. Silleni si palaço dhe me këtë paturpësi keni kërkuar që të rishikoni ligjin për kontrollin e shtetit që ta vini në zap dhe atë”- tha Spaho.

Në Kuvend pati debate të shumta për mungesën e raportimit të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Deputetët e opozitës akuzuan mazhorancën se po përpiqet “t’i mbyllë gojën” institucionit të pavarur pas gjetjeve të skandaleve në fusha të ndryshme të qeverisjes. Por pavarësisht kësaj në krye të nënkomisionit që do monitorojë punën e KLSH, do të jetë një deputete demokrate.

Gjithashtu u miratuan me shumicë të thjeshtë votat projekt-rezolutat e raportimeve të bëra më herët nga përfaqësues të institucioneve të pavarura të vendit, konkretisht projektrezolutat:

-“Për vlerësimin e veprimtarisë së Prokurorit të Përgjithshëm për vitin 2023”

-“Për vlerësimin e veprimtarisë së SPAK për vitin 2023”

-“Për vlerësimin e veprimtarisë së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për vitin 2023”

-“Për vlerësimin e veprimtarisë së Këshillit të Lartë Gjyqësor për vitin 2023”

-“Për vlerësimin e veprimtarisë së Këshillit të Lartë të Prokurorisë për vitin 2023”

-“Për vlerësimin e veprimtarisë së Avokatit të Popullit për vitin 2023”

-“Për vlerësimin e veprimtarisë së Bankës së Shqipërisë për vitin 2023”

-“Për vlerësimin e veprimtarisë së Inspektoriatit të Lartë të Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave për vitin 2023”

-“Për vlerësimin e veprimtarisë së Autoritetit të Konkurrencës për vitin 2023”

-“Për vlerësimin e veprimtarisë së INSTAT për vitin 2023”

-“Për vlerësimin e veprimtarisë së Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit për vitin 2023”. Versus.al

9 MUAJ ME PARE

Kuvendi miraton emrat e rinj për KLP dhe KLGJ

Sot dhe nesër seancë maratonë/ Debate e përplasje për
Live nga Kuvendi

Në seancën plenare të kësaj të enjteje, në rendin e ditës u miratuan emrat e anëtarëve të rinj nga radhët e avokatëve që do të ulen në Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë.

Kandidatët e kësaj liste konsiderohen të zgjedhur, pavarësisht se shumica absolute nuk u garantua.

Emrat e përzgjedhur nga shorti i kandidatëve janë  Bledar Bajri dhe Albens Tabaku për Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Erind Mërkuri dhe Erind Gërmenji për Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Të katër kandidatët vijnë nga një karrierë në profesionin e avokatit dhe si lektorë të jurispudencës.

Po ashtu u miratuan projektvendimet për ngritjen e nënkomisionit për Auditimin e Sektorit Publik, si dhe zgjatja e afatit të komisionit Hetimor për Sterilizimin dhe Check up në Shëndetësi. Me 95 vota pro dhe 1 kundër është votuar zgjatja e afatit të Komisionit të Sterilizimit.

Gjatë seancës u miratuan projektrezolutat për vlerësimin e veprimtarisë së institucioneve të drejtësisë si dhe institucioneve të tjera që raportuan në Kuvend seancën e 18 korrikut.

Gjatë seancës së sotme plenare janë parashikuar të mbahen edhe dy interpelanca. Deputetja e Partisë Demokratike Ina Zhupa do të zhvilloj interperlancë me ministrin eEkonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja. Po ashtu deputeti Agron Shehaj ka kërkuar interpelancë me ministrin e Financave Ervin Mete./ Versus.al

9 MUAJ ME PARE

VIDEO- Tension në Kuvend/ “Ik mor legen se na hape barkun”, Bardhi i kthehet Braçes: Kujt i thua ordiner ti?

Sot dhe nesër seancë maratonë/ Debate e përplasje për
Deputeti Erion Braçe

Nuk kanë munguar as fyerjet që tashmë janë bërë të zakonshme mes deputetëve gjatë seancave plenare të Kuvendit.

Gjatë fjalës së deputetit Edmond Spaho ku fliste për mungesën e raportimit të kreut të KLSH në Kuvend, kreu i grupit parlamentar demokrat, Gazment Bardhi pretendoi se kishte pasur fyerje nga deputeti socialist Erion Braçe.

Ky i fundit iu përgjigj po me fyerje duke i thënë se nuk i ishte drejtuar atij apo deputetit Spaho.

Pjesë nga debati:

Bardhi: A ka mundësi të marrësh masa ti, kujt i thotë ordiner ky? Pse nuk reagon

Nikolla: Nuk dëgjuam asnjë fjalor të tillë

Braçe: Nuk të thash as ty dhe as atij

Bardhi: Po kujt i the?

Braçe: Po lëre mor mos na hap barkun tani o legen. Versus.al

 

9 MUAJ ME PARE

Gjetjet e KLSH “mollë sherri” në Kuvend, demokratët kërkojnë raportim, Shalsi: S’na është përgjigjur për pyetjet

Sot dhe nesër seancë maratonë/ Debate e përplasje për
Shalsi dhe Bardhi gjatë seancës në Kuvend

Kuvendi është përfshirë në debate të shumta mes deputetëve sa i takon kërkesës së demokratëve që të përfshihet në rend dite raportimi i Kontrollit të Lartë të Shtetit mbi gjetjet e rënda të bëra publike së fundmi, si skandali te Onkologjiku apo skandali me lëndën kancerogjene me 13 ton akullore në tregun shqiptar.

Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi tha se qeveria po tenton të mos lejojë KLSH-në të bëjë raportimin e skandaleve në Kuvend, pretendim që mori përgjigjie nga deputeti Shalsi i cili si kryetar i komisionit të Ekonomisë tha se KLSH nuk u është përgjigjur pyetjeve të bëra nga socialistët, një prej tyre edhe kërkesa e institucionit për shkarkimin e drejtoreshës së Buxhetit, Mimoza Dhëmbi.

Pjesë nga diskutimi në Kuvend:

Shalsi: Të paktën të merren vesh mirë me njëri tjetrin sepse do kishin kuptuar se në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave prej qysh kur nuk mbahet mend një zonjë me emrin Mimoza Dhëmbi, për të cilën KLSH ka kërkuar shkarkimin nga detyra. Është precedent i ri për komisionin por ditën që në mendjen tonë erdhi kërkesa për shkarkimin nga detyra të një njeriu të rangut të lartë atëherë i kërkuam KLSH të sqaronte motivet dhe arsyet pse e kanë çuar në një masë të tillë ekstreme, një punonjëse për të cilën i gjithë grupi parlamentar i PD ishte i shqetësuar. Ka pyetje pa përgjigjie nga KLSH. Për shembull, skandali i Onkologjikut, është pyetur nëse ka patur një denoncim, por ende nuk kemi një përgjigjie. Mund të vijojmë me pyetje që i kemi bërë KLSH të cilat kanë mbetur pa përgjigjie. Nuk ka nevojë KLSH për avokatinë tuaj.

Bardhi: Nuk merremi me rastet individuale me gjithë respektin që kemi për zonjën në fjalë. Zonja kryetare ajo që u tha është e pavërtetë e madhe. Me zë dhe figurë komisioni i Ekonomisë ka propozuar draft-rezolutën për Kontrollin e Lartë të Shtetit. Secili koleg mund t’i bëjë çdo pyetje që dëshiron kreut të KLSH. E papranueshme që i vetmi institucion për të cilin Kuvendi nuk miraton një rezolutë për vitin 2024 është KLSH. Komisioni duhet të përfundojë sot rezolutën se nuk mund ta shtyjmë derisa Shalsi të gjejë pse është propozuar shkarkimi i një nënpunësje të shtetit. Fusni në rendin e ditës raportimin e kreut të KLSH dhe miratimin e rezolutës përkatëse. S;mund të shtyhet deri në fund të vitit raportimi i institucionit kyç për auditimin financiar.

Të njëjtin shqetësim e ngriti edhe deputeti demokrat Dashnor Sula i cili tha se duhet që të ketë projektrezoluta të miratuara mbi raportimet e institucioneve të pavarura në Kuvend.

Ndërsa nënkryetarja e komisionit të Ekonomisë, Sorina Koti tha se po tentohet që KLSH të mos lejohej të raportonte për shkak të shkeljeve që janë gjetur në fusha të ndryshme. Koti kërkoi që komisioni të mblidhet sot dhe të miratojë raportin e KLSH e më pas të votohet projektrezoluta në Kuvend.

Sot dhe nesër seancë maratonë/ Debate e përplasje për
Sorina Koti

“Draft- rezoluta u është shpërndarë kolegëve për miratim, nëse kërkohet më shumë kohë sepse KLSH ka raportuar shkeljet në institucionet shtetërore, atëherë duhet të kishte raportuar më herët në komision dhe jo të lihej për ditët e fundit. KLSH i është përgjigjur çdo pyetje. Unë si nënkryetare propozoj që të komisioni të mblidhet urgjent dhe të marrim një vendim mbi një raport për ditën e sotme. Nëse e lëmë për në shtator këtë rezolutë, nuk ka kohë fizike që ky institucion të marrë për bazë rekomandimet e Kuvendit. I bëjmë thirrje kryetarit dhe sekretares meqë janë këtu që të bëjnë një mbledhje dhe të vendosin sesi do vazhdohet”- u shpreh Koti.

Ndërsa socialisti Erion Braçe tha se ishte i kënaqur me punën e KLSH, por u kërkoi ligjvënëse demokratë që të mos krijonin situata të paqena duke thënë se qeveria po përpiqet të ndalojë raportimin e kreut të KLSH Arben shehu.

Sot dhe nesër seancë maratonë/ Debate e përplasje për
Deputeti i PS, Erion Braçe

“KLSH është institucion unilateral me kryetar që ka një mandat 7 vjeçar. Nuk ka praktikë që mazhoranca të shkarkojë kreun e KLSH, për këtë të jenë të gjithë të qetë. Unë nuk jam i pakënaqur nga veprimtaria e KLSH dhe e kam thënë aty, nuk ka qëllim për të kapur KLSH”- u shpreh Braçe duke u kërkuar demokratëve që të mos krijonin situata të paqena lidhur me mungesën e raportimit nga kreu i KLSH në Kuvend. Versus.al

9 MUAJ ME PARE

Shumica e deputetëve të caktuar nga kryetarët dhe “dhimbje koke” për diasporën, çfarë përmban Kodi Zgjedhor i PS dhe PD

Sot dhe nesër seancë maratonë/ Debate e përplasje për

Sot mbahet seanca plenare e Kuvendit e cila pritet të zgjasë edhe gjatë ditës së nesërme ku do të hidhet për votim edhe drafti i ri i dakordësuar mes PS dhe PD për ndryshimet në Kodin Zgjedhor.

Drafti u miratua dje në mbledhjen e komisionit të Ligjeve me 19 vota pro dhe vetëm një kundër, deputetin Enkelejd Alibeaj.

Por çfarë përmban konkretisht drafti dhe a janë listat e deputetëve të hapura ashtu siç kërkonin deputetët e opozitës?

Kandidatët në listat për deputetë

Ndryshe nga sa pritej as këtë herë listat e kandidatëve për deputetë nuk do të jenë plotësisht të hapura, duke ia lënë në dorë kryetarit të partisë të zgjedhë 1/3 e kandidatëve ndërsa votuesit do kenë mundësinë të zgjedhin me votë pëlqyese më pak se një të tretën e kandidatëve. Për ta sqaruar më mirë, marrim si shembull disa qarqe të vendit në situata hipotetike për zgjedhjet parlamentare.

Në Kukës, ku dalin në total 3 mandate deputetësh, partia mund të caktojë mandatin e parë ndërsa zgjedhësit mund të zgjedhin të dytin. Por nëse në këtë qark marrin nga një mandat tre parti të ndryshme, atëherë rezulton që të tre kandidatët për deputetë të jenë të emëruar nga kryetari dhe jo të zgjedhur nga qytetarët me lista të hapura.

Në Tiranë, ku dalin 36 mandate, 12 të parët e listës së çdo partie janë të caktuar nga kryetari dhe e kanë të sigurt një vend në parlament. Pra nëse marrim si referim rezultatin e zgjedhjeve të kaluara ku PS mori 18 mandate në Tiranë dhe PD 15 mandate, i bie që me formulën e re, vetëm 9 deputetë në total të jenë zgjedhur nga votuesit.

Me këtë formulë, rezulton në fakt se listat nuk janë hapur dhe se 70% e kandidatëve për deputetë do të jenë të paracaktuar nga kryetarët. Këtë herë është hequr edhe pragu i herësit prej 10 mijëvotash të vendosur në zgjedhjet e vitit 2021, të cilin vetëm 3 deputetë arritën ta thyenin duke marrë vendin e kandidatëve të paracaktuar në listë. PS kërkoi që pragu të ishte 7 mijë vota, por u hoq me kërkesë të PD.

Kjo formulë hasi kundërshtime edhe gjatë diskutimeve në komisionin e ligjeve, ku kryetari i Partisë Republikane Fatmir Mediu, njëkohësisht deputet tha se kjo formulë e zgjedhjes së deputetëve u përshtatet atyre që nuk e kanë besimin e qyetarëve. Ai kërkoi që t’u lihet në dorë partive nëse do të caktojnë 1/3-ën e kandidatëve në listat për deputetë dhe të mos jetë e detyrueshme.

Sot dhe nesër seancë maratonë/ Debate e përplasje për
Mediu dhe Lapaj në Komisionin e Ligjeve

“Nëse do ta lërë listën tërësisht të hapur ta lërë të hapur. Në kushtetutë thuhet jo më pak se 1/3, është çështje e vullnetit të partisë. Mendoj që alternativa e lënies së hapur të kësaj mundësie, duke marrë parasysh edhe ato faktorë që u thanë për gjeneralët dhe ushtarët. Partitë që duan ta mbyllin listën për ata, dhe pastaj të lënë mundësi për të rinjtë që vijnë e konkurrojnë. Se kanë besimin e qytetarëve që u japin votën. Nëse flasim për demokraci përfaqësuese ne përfaqësojmë jo thjesht partitë, por vullnetin e qytetarëve. Të paktën të jete e mundshme, të lihet fakultative për çdo subjekt politik, kush do ta ketë të hapur ta ketë të hapur”- tha Mediu.

I të njëjtit mendim u shpreh edhe drejtuesi i lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj i cili tha se me këtë formulë partitë politike kanë si synim të fusin të parët në lista të sigurta kandidatë të cilët nuk marrin vota.

“Ju mund ta lini opsionale, pra meqë kushtetuta e parashikon 2/3 e hapur. Ta lini në dorë të partisë, pra të jetë partia që zgjedh nëse do ta mbyllë një të tretën, pra që të fusni në lista të sigurta njerëz teknikë por nuk marrin shumë vota, dhe të lini opsion për partitë e tjera që nëse duan t’i lënë 100% të hapura, kjo adreson të gjitha shpresat e shoqërisë”- u shpreh Lapaj.

Vota e Diasporës

Emigrantëve shqiptarë u është vështirësuar pjesëmarrja në votime me draftin e dakordësuar mes PS dhe PD. Kështu, ndryshe nga shqiptarët që jetojnë brenda vendit, diaspora do të duhet të pararegjistrohet me kërkesë për të ushtruar të drejtën e votës dhe ky regjistrim do jetë i vlefshëm vetëm për këto palë zgjedhje, duke u caktuar emigrantëve detyrimin për t’u çregjistruar si votues rezidentë brenda vendit pasi të kenë hedhur votën për zgjedhjet e 2025-ës.

“Zgjedhësi që ndodhet jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë dhe që dëshiron të ushtrojë të drejtën e votës për zgjedhjet e radhës për Kuvendin duhet të rregjistrohet në listën e zgjedhësve jashtë vendit. Shtetasit shqiptarë që janë rregjistruar në listën e zgjedhësve jashtë vendit, pas përfundimit të procedurës së rregjistrimit sipas këtij neni, ç'rregjistrohen nga lista e zgjedhësve brenda vendit  ” thuhet në projektligj.

Ky është një disavantazh i madh për shqiptarët që jetojnë jashtë vendit të cilët duhet fillimisht të bëjnë kërkesë për regjistrim në zgjedhje dhe pasi të votojnë të çrregjistrohen nga lista e votuesve rezidentë në vend, duke e lënë të paqartë si veprohet nëse një pjesë e tyre vendosin të kthehen në atdhe më vonë për të jetuar.

Procesi i regjistrimit të emigrantëve që jetojnë jashtë vendit do të nisë 120 ditë para datës së zgjedhjeve dhe do të përfundojë 63 ditë para datës së zgjedhjeve ,kur KQZ do të publikojë listën e plotë të zgjedhësve që do votojnë nga diaspora. Fleta e votimit për ta do të jetë njëjtë si ajo në Shqipëri dhe do t’u dërgohet me postë nga KQZ në adresën e deklaruar prej tyre. Pasi të votojnë ata me shpenzimet e tyre, e dërgojnë sërish me postë drejt KQZ. Votat më pas do të numërohen në komisionin qendror të zgjedhjeve sipas qarqeve ku emigrantët rezultojnë rezidentë në Shqipëri.

Mbetet për t’u parë sesa i vlefshëm do jetë realisht për shqiptarët ky projektligj tejet i debatuar./ Versus.al

Poll
Më poshtë do të gjeni dhe kandidatët e Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike për të gjitha qarqet: