
Trajneri i Serbisë, Dragab Stojkoviç ka folur sërish për deklaratën e tij dhënë pas ndjeshjes me Shqipërinë, ku vlerëosi atmosferën në një konferencë për shtyp për gazetarët vendas.
Teksa fliste për ekipin që ai drejton për ndeshjen me Andorrën ditën e nesërme, Stojkoviç u pyet sërish për deklaratën që ka ditë që bën bujë në mediat serbe.
“Mirë që ma bëtë këtë pyetje, sepse nuk kam ndjekur mediat prej katër ditësh dhe nuk e di çfarë shkruhet. Jam i fokusuar vetëm te detyra ime – të përgatis djemtë sa më mirë.
Kam folur vetëm për atmosferën futbollistike, dhe flas me gjuhën e futbollit. Ajo që ndodhi në fushë ishte për t’u respektuar – një rivalitet i madh, me shumë rëndësi dhe dy pankina që i qëndruan me dinjitet ndeshjes. Natyrisht, gjithmonë do të dënoj gjërat që nuk kanë lidhje me futbollin – askujt nuk i pëlqejnë ndërprerjet, por ne nuk mund të ndikojmë në ato situata. Ka institucione për këtë punë, nuk jemi ne që japim dënime.
Ju nuk ishit aty, e keni parë nga televizioni. Disa kolegë tuaj, ndoshta do të donin të kishin një atmosferë si ajo. Për herë të parë – dhe kjo është ndeshja ime e 51-të si trajner – nuk arrita ta dëgjoj himnin. Imagjinoni çfarë shpërthimi fishkëllimash dhe kundërshtimesh ka qenë. Ne e kënduam me krenari himnin tonë, dhe kjo na dha më shumë motivim që të mos dorëzoheshim nën presionin e madh. Djemtë u sollën në mënyrë shembullore në fushë. Kjo është një fitore e madhe për ne.
A e ka menduar vërtet dikush se do të na prisnin me duartrokitje? Sjellja e tyre është në dorën e tyre. Unë nuk jam politikan, nuk përdor gjuhën e politikanëve dhe jam shumë i kujdesshëm në atë që them. Komentova vetëm atmosferën në stadium. Për sjelljen – ka të tjerë që merren me këtë.
Dhe për të mos më dashur askush të më provojë atdhedashurinë, dua të them se nuk mbaj krah askujt tjetër – dua vetëm Serbinë. Dua që këta djem t’i bëj heronj, dhe do të punoj për këtë derisa të kem frymë.
Për sa i përket organizimit, gjithçka ishte në nivelin më të lartë dhe besoj se edhe ne do të kthejmë të njëjtën mikpritje. Lërini kolegët të tregojnë se si ishte në Tiranë. Shikoni një ndeshje Boca Juniors – River Plate dhe do ta kuptoni për çfarë atmosfere flas. Ne nuk u trembëm dhe këtë e treguam në fushë.” është shprehur trajneri i Serbisë./Versus.al







