AKTUALITET /

“Mafia e sofistikuar me trajnime 1500 euro”, akuzat dhe ‘dritëhijet’ që rrethojnë ‘Urdhrin e Psikologut’

Shkruar nga Versus
“Mafia e sofistikuar me trajnime 1500 euro”, akuzat dhe
Fotomontazh: Presidentja aktuale e Urdhrit të Psikologut

Pavarësisht se një institucion totalisht në hije, për shkak se thuajse nuk reagon asnjëherë në çështje të rëndësishme për publikun “Urdhri i Psikologut” është bërë temë përplasjesh dhe debatesh.

Historia e përplasjeve ka nisur që në janar të 2024-ës kur 216 psikologë në të gjihë vendin iu drejtuan qeverisë me një peticion kundër presidentes Valbona Treska me argumentin se institucioni që ajo drejtonte po kryente trajnime të pa miratuara nga Agjencia e Sigurimit të Cilësisë së Kujdesit Shëndetësor dhe Shoqëror. Sipas firmëtarëve, trajnimet e kryera gjatë vitit 2023 të cilat kapnin tarifën deri në 1500 euro, rezultojnë të pavlefshme ligjërisht.

Treska e cila ishte zgjedhur president e parë e urdhrit të psikologut në 2017-ën, u rizgjodh për një mandat të dytë në 2021-in. Ndërsa pas problematikave të raportuara prej anëtarëve, u shkarkua me 204 vota gjatë mbledhjes së asamblesë. Pavarësisht votimit në Asamblenë e Jashtëzakonshme, presidentja Treska nuk e pranoi këtë votim duke e konsideruar të paligjshëm.

“Mafia e sofistikuar me trajnime 1500 euro”, akuzat dhe
Rezultati i votimeve për Urdhrin e Psikologut

Ajo vijoi detyrën, katër ditë më parë, më 5 qershor u mbajtën zgjedhjet për drejtuesen e re të institucionit, duke qenë se Treskës i përfundonte mandati i saj i dytë.

Presidente e re u zgjodh Brunilda Laboviti me 238 vota, kundrejt sekretares aktuale të përgjithshme Elena Mustafaraj e cila mori vetëm 140 vota, ndërsa 73 vota u shpallën të pavlefshme.  Pas këtij vendimi, nga ana e Treskës u dorëzua një ankim sa i takon pjesëmarrjes në zgjedhje duke argumentuar se nuk është plotësuar kuorumi i nevojshëm.

Brunilda Laboviti është shpallur fituese e zgjedhjeve për Presidenten e Urdhrit të Psikologut për vitin 2025, sipas rezultatit përfundimtar të shpallur nga Komisioni i Numërimit të Votave. Në total u hodhën 451 vota, prej të cilave 378 u shpallën të vlefshme dhe 73 të pavlefshme. Laboviti mori 238 vota, duke lënë pas kandidaten tjetër Elena Mustafarajn, e cila siguroi 140 vota.

Ndërkohë pati akuza sa i takon skualifikimit të kandidatit të tretë. Ndërsa si anëtarë të Urdhrit të Psikologut rezultojnë të jenë 1500 psikologë duke bërë kështu që të mos plotësohet kuorumi i pjesëmarrjes në zgjedhje.

Sot në zyrat e institucionit është paraqitur për të marrë detyrën presidentja e zgjedhur Brunilda Laboviti e cila hasi në kundërshtimin e paraardhëses së saj Valbona Treska e cila argumentoi se nuk do ta lironte zyrën pa pritur më parë përgjigjen për ankimin e zgjedhjeve.

Por cilat janë akuzat “e errëta” që bëhen ndaj institucionit të drejtuar nga Treska?

Në emisionin “Të paekspozuarit” psikologia Denata Toçe e shpjegoi të gjithë konfliktin duke e lidhur me ‘dashurinë për paratë’ duke i quajtur drejtuesit e institucionit si “mafie e sofistikuar’.  Sipas Toçes,  trajnimi i psikologëve me “fatura të kripura” nisi të bëhej nga shoqata që drejtoheshin nga vetë Valbona Treska duke vendosur monopol.

“Presidentja është shumë e rëndësishme, sepse rëndësia me të cilën ka ardhur, është rëndësi abuzimi. Njerëzit për lekë e për lavdi… Gjithmonë bëhet fjalë për para. Njerëzit hanë kokat për para. Kjo është mafia më e sofistikuar, sepse ka të bëjë me njerëz të shkolluar.

Në vend që trajnimet e psikologëve të ofrohen nga insitucionet kompetente, e mori monopolizimin Urdhri i Psikologut që afirmonte ato shoqata dhe organizata, një prej të cilave është e saja, të cilat marrin dhe drejtojnë trajnimet në mënyrë të monopolizuar. Është fituar në gjykatë që ta bëjnë edhe institucione të tjera dhe nuk është bërë në zbatim. Kjo është ta bësh psikologun të pamend. Paratë shkojnë të Urdhri i Psikologut dhe specialistët që orientojnë trajnimet”-deklaroi Toçe.

Kjo përplasje e “heshtur” në sytë e publikut, është përshkallëzuar sot pasi presidentja e re e zgjedhur telefonoi policinë duke u bërë thirrje që ta nxjerrin me forcë nga zyra paraardhësen e saj, Valbona Treska.

Kjo e fundit tha para mediave, se duhet të ketë një proces të mirëfilltë për kalimin e postit të presidentes, ndërsa theksoi se duhet pritur edhe përgjigjia për ankimimin e rezultatit të zgjedhjeve me argument mungesën e kuorumit të nevojshëm. Versus.al

Poll