
Zelanda e Re ka një plan për të eliminuar të gjitha macet endacake në natyrë deri në vitin 2050 për të mbrojtur biodiversitetin, njoftoi Ministrja e Mjedisit e vendit. Në një deklaratë, Ministrja Tama Potaka njoftoi shtimin e maceve të endacake në strategjinë pionere botërore “Pa Grabitqarë 2050”. Planet fillestare u hartuan një dekadë më parë dhe kishin provokuar reagime të forta nga aktivistët e të drejtave të kafshëve.
Macet endacake tashmë po mblidhen dhe vriten në disa zona, por ka një përpjekje më të bashkërenduar për të zhdukur grabitqarët e listuar, raporton Guardian.
Vlerësohet se më shumë se 2.5 milionë mace endacake enden në Zelandën e Re. Ato mund të rriten deri në një metër të gjata, përfshirë bishtin e tyre, dhe të peshojnë deri në 7 kg.
Ato kanë shkatërruar jetën e egër në shumë zona, duke i çuar disa specie në prag të zhdukjes. Ato janë “vrasëse me gjak të ftohtë”, tha Potaka në një deklaratë, duke thënë se macet do të ishin në të njëjtën listë me gjitarët si ferretat, nuselalat, minjtë dhe oposumët.
Macet shtëpiake, të cilat nuk përfshihen në program, konsiderohen gjithashtu një kërcënim serioz për biodiversitetin. Çështja ka shkaktuar debat të nxehtë në një vend që i do macet me një nga normat më të larta të maceve shtëpiake në botë, por rregulla të paqarta mbi pronësinë e tyre.
