
Presidenti Bajram Begaj ka folur në ''Top Story'' lidhur me dekretimin e zgjedhjeve lokale të parakohshme për bashkinë e Tiranës dhe 5 bashki të tjera. I pyetur për atë që është quajtur ‘ngërçi kushtetues’ sa i takon shkarkimit të Veliajt, Begaj tha se vendimi i tij për të nxjerrë dekretin me datën 9 nëntor për zgjedhje edhe në Tiranë është totalisht në përputhje me ligjin.
Ai tha se vendimi ishte marrë pas konsultimeve me ekipin e tij duke shtuar se palët politike kanë të gjithë të drejtën që këtë dekret ta ankimojnë në instanca më të larta.
‘’Mendoj që nuk mund të vendoset balancë mes dekretit të presidentit dhe vendimit të gjykatës Kushtetuese. Patjetër që kryetari i bashkisë është shkarkuar me vendim të këshillit të ministrave pas propozimit të bërë nga këshilli bashkiak i cili me votat e pozitës dhe opozitës gjeti si shkak ligjor mosparaqitjen në detyrë. Po kështu qeveria nga ana e saj merr në analizë si shkak jo atë politik, të lidhur me nenin 115 të Kushtetutës, por thotë që shkarkimi nga detyra është bërë me motivacionin e mosparaqitjes në detyrë, pra kemi të bëjmë me nenin 62, pika C. Kjo dilemë është konsultuar me ekipin tim dhe është marrë në analizë çdo pretendim në media dhe pas një diskutimi tepër aktiv më siguruan që në respekt të parimeve kushtetuese, presidenti duhet të ushtrojë kompetencën kushtetutese për nxjerrjen e dekretit për zgjedhjet e parakoihshme. Me këtë nuk u është mohuar e drejta palëve që ta çojnë në instancat ligjore çdo pretendim të mundshëm. Gjykata Kushtetuese shprehet me vendim dhe një vendim i tillë nuk është marrë’’- deklaroi Begaj.
I pyetur se çfarë do të ndodhte nëse Kushtetuesja merr vendim për pezullimin e dekretit, Begaj tha se nuk mund të aludonte mbi një gjë të tillë.
‘’Ju mendoni se mund të jetë konflikt institucional mes ligjshmërisë së zgjedhjeve? Nuk mund të aludoj mbi vendimin e gjykatës Kushtetuese. Ajo që ne sigurojmë kur nxjerrim një akt është të marrim për bazë çdo pretendim dhe nëse ky akt do të shkojë në instancë ankimuese për të mbrojtur qëndrimin tonë në çdo rast’’- shtoi Begaj.
Sot Veliaj iu drejtua sërish Gjykatës Kushtetuese duke i kërkuar që të pezullonte dekretin e Begajt për zgjedhjet e parakohshme në Tiranë duke e konsideruar si antikushtetues. Versus.al







