Kryeministri Edi Rama i cili prej ditës së djeshme ndodhet në panairin e turizmit që mbahet në Berlin ka hyrë në “facebook” për t’ju përgjigjur disa prej pyetjeve të komentuesve.
Mes tyre, njëri prej komentuesve, duke iu referuar deklaratave të bëra nga kryedemokrati Sali Berisha pak ditë më parë i cili pretendoi se Rama nuk shkonte dot në SHBA, e pyeti kryeministrin nëse e kalon dot oqeanin.
Rama e konsideroi qesharake pyetjen, ndërsa tha se nuk donte të zbulonte një surprizë që kishte në vazhdim lidhur me SHBA-të.
“Unë oqeanin nuk kam pasur probleme ta kaloj, por ti qenke zgjuar në kënetë sot. Unë nuk kam pasur probleme me oqeanin dhe të jeni të sigurt se e kaloj sa herë të dua. Mos u çudit fare, kur ta shohësh që jo e kaloj…por nuk po flas se dua të të bëj një surprizë të këndshme ty dhe kënetës”- u shpreh Rama.
Më tej deklaroi se në zgjedhjet e 11 majit vendoset për partinë që sipas tij do anëtarësojë Shqipërinë në BE dhe për atë që do e kthejë në kënetë.
“Është zgjedhje shumë e qartë kjo e kësaj here. Nuk ka qenë më e qartë për faktin se Shqipëria më 11 maj do vendosë të gjitha forcat e veta për të realizuar anëtarësimin. Ose një votë për mua dhe për ne për tu anëtarësuar në BE ose një votë për kënetën dhe për të shkuar prapë në gropën e kuakuakuave. Kush e hedh votën në atë drejtim, u bie në qafë fëmijëve të vetë”- shtoi kryeministri. Versus.al








