
Një nga mbështetësit më të njohur të PD-së, Ilir Vrenozi ka reaguar ashpër ndaj Partisë Demokratike të cilët i nxit të ndryshojnë sjellje. Vrenozi, u shpreh i ashpër ndaj drejtuesve të PD-së, duke thënë se kanë hyrë në zgjedhjet e 11 majit duke ditur që do t’i humbnin.
“E dinin që do humbnin zgjedhjet. Po kur e dini që do i humbni, pse hyni në zgjedhje?”, tha i revoltuar Vrenozi në emisionin “NOW me Erla Mëhillin”.
Ai pati një thirrje të drejtpërdrejtë për hapat e mëtejshëm që flitet që PD-ja do të marrë, në grevë urie. Sipas tij kjo s’është strategji se thjesht do i lërë njerëzit rrugëve.
“Tani këta do thonë: na i vodhën, na i bënë. Po pastaj do hyjnë në Parlament të marrin rrogën? Jo! Të hyjnë në grevë urie aty! Ta shohim sa…! Boll populli demokrat mbeti rrugëve, rrugëve, rrugëve… nuk mban më ujë pilafi. Të hyjnë në grevë urie”, deklaroi ai me tone të ashpra.
Vrenozi përmendi edhe një moment që e revoltoi personalisht: publikimin e një fotografie ku shfaqeshin bashkë Erion Braçe dhe Tritan Shehu pas zgjedhjeve.
“Mua më dhemb kur e shoh atë foto. Nuk flas më me gjysmën e pallatit sepse janë socialistë, kurse këta… në vend që të mbajnë qëndrim, i japin dorën njëri-tjetrit sikur s’ka ndodhur gjë. Ne kemi një situatë të nxehtë, këta qeshin”, tha ai. Versus.al







