
Ambasadat e huaja në Shqipëri kanë reaguar lidhur me imunitetin e Belinda Ballukut. Së pari pati një reagim nga ambasada britanike në prag të votimit duke theksuar se imuniteti parlamentar nuk mund të bëhet pengesë për llogaridhënie para ligjit.
“Ambasada Britanike thekson rëndësinë e ruajtjes së sundimit të ligjit dhe pavarësisë gjyqësore, dhe njeh progresin e Shqipërisë në reformën gjyqësore që nga viti 2016, përfshirë krijimin e SPAK-ut. Ekzekutivi, Gjyqësori dhe Legjislativi mbeten partnerë të barabartë në mbështetjen e këtij progresi si pjesë e qëllimit të Shqipërisë për arritjen e anëtarësimit në BE. Ndërsa imuniteti parlamentar duhet të mbrojë proceset demokratike, ai nuk duhet të jetë pengesë për llogaridhënie të barabartë para ligjit”, thuhet në postimin e Ambasadës britanike.
Pasi Kuvendi rrëzoi kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit, pati një reagim edhe nga ambasada gjermane e cila thekson se kushti i domosdoshëm që Shqipëria duhet të përmbushë lidhur me anëtarësimin në BE është ndjekja penale edhe në raste të rangut të lartë.
Reagimi i plotë:
Gjermania mbështet procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian në përputhje me dëshirën e shqiptarëve.
Kusht i domosdoshëm për të bërë progres në këtë proces të bazuar në merita është ndjekja penale me efektivitet e korrupsionit edhe në raste të rangut të lartë. Pritshmëria jonë e qartë është që edhe në këto raste ndjekja penale përmes drejtësisë të mund të realizohet shpejt dhe pa pengesa. Prej politikës shqiptare vazhdon të kërkohet ende që ta garantojë këtë proces. Versus.al


