POLITIKË /

Raporti i PS/ 'Asnjë akuzë për korrupsion", Ulsi Manja: Balluku nuk ushtron më funksione ekzekutive, drejtësi jo politikë!

Ulsi Manja, në emër të Partisë Socialiste, prezantoi raportin në Kuvend ku argumenton se deputetja Belinda Balluku nuk përbën rrezik për prishjen e provave dhe se kërkesa e SPAK për arrestim nuk është e nevojshme, duke kërkuar rrëzimin e saj.

Shkruar nga Versus
Raporti i PS/ 'Asnjë akuzë për korrupsion", Ulsi Manja:
Ulsi Manja në Kuvend

Në seancën plenare të sotme në Kuvendi i Shqipërisë, ish-ministri i Drejtësisë dhe anëtar i Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, Ulsi Manja, lexoi raportin e Partia Socialiste lidhur me kërkesën e Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) për autorizimin e arrestimit të deputetes Belinda Balluku.

Manja theksoi se raporti i socialistëve propozon rrëzimin e kërkesës, duke argumentuar se ndryshimet e fundit juridike e kanë ndryshuar thelbin e shqyrtimit.

Ai sqaroi se Balluku nuk ushtron më funksione ekzekutive si zv.kryeministre dhe ministre, dhe për këtë arsye nuk ekziston rreziku real për prishjen e provave apo arratisje.

“Është një realitet i ri juridik që ndryshon natyrën e vlerësimit të kërkesës së SPAK. Masa e arrestimit nuk ka më efekt praktik, pasi deputetja nuk ushtron më funksione ekzekutive. Hetimi nga SPAK vazhdon që nga gushti i 2024 me masë sigurie, por nuk ka nevojë për një masë më të rëndë si arrest me burg,” tha Manja.

Ai gjithashtu theksoi se raporti i Partisë Socialiste respekton Kushtetutën dhe standardet ligjore, duke kërkuar që Kuvendi të rrëzojë kërkesën e SPAK për zëvendësimin e masës së sigurimit personal aktuale me një masë më të rëndë.

Manja nënvizoi gjithashtu se ky është një prej raporteve më të detajuara të prezantuara në Kuvend, ku analizohen provat dhe rrethanat me imtësi, duke kundërshtuar përpjekjet për ta kthyer çështjen në një gjyq publik politik.

Raporti i socialistëve thekson se masat e arrestit të propozuara nga SPAK janë të lidhura drejtpërdrejt me funksionet ekzekutive, të cilat Balluku nuk i ushtron më, dhe për këtë arsye nuk ka rrezik real për shkelje të ligjit.

Pjesë nga fjala  e Ulsi Manjës:

Të nderuar kolegë deputetë, të dashur qytetarë shqiptarë që po e ndiqni me interes këtë seancë, unë do të mbaj raportin rekomandues për Kuvendin në emër të 5 anëtarëve të shumicës në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin. Dhe ne raportimin e kemi bërë publik. Sot do të përpiqem në mënyrë të përmbledhur të jap arsyet sepse ne si anëtarë të shumicës në këtë këshill i kemi propozuar Kuvendit rrëzimin e kërkesës së SPAK për dhënien e autorizimit për arrestimin e deputetes Belinda Ballukut.

Më lejoni të shpreh shkurtimisht qëndrimin tim lidhur me raportin e anëtarëve të pakicës në këtë këshill që sapo lexoi kolegu Bylykbashi. Kam që në 2013 në këtë Kuvend dhe në fakt në këtë sallë kjo është kërkesa e shtatë e organit të akuzës që vjen në këtë Kuvend për dhënie autorizimi për arrestimin e një anëtari të parlamentit, kontrollin personal, apo të apartamentit. Është e shtata kërkesë kjo për Ballukun.

Por nuk kam dëgjuar në këtë sallë raport më të detajuar në analizën e provave dhe fakteve dhe rrethanave të një kërkese të SPAK se sa sot. Gjë e cila bie ndesh me frymën e nenit 73 të Kushtetutës, madje këtë raport kaq të detajuar nuk e kam dëgjuar nga kolegët e opozitës as në 21 dhjetor 2023 kur këtu kishim kërkesën e SPAK për dhënien e autorizimit për një tjetër anëtar të këtij parlamenti, por atëherë me një ndryshim, raporti i pakicës sugjeronte rrëzimin e SPAK me argumentin se nuk plotësohen kërkesat e nenit 260 të Kodit të Procedurës Penale.

Por në fakt në raportin e shumicës do t’i qëndroj besnik. Në emër të anëtarëve të shumicës në këtë këshill, në momentin që ne e paraqitëm raportin tonë në lidhje me kërkesën e SPAK për dhënien e autorizimit për arrestimin e Ballukut, ka ndodhur një realitet i ri. Një realitet i ri juridik i cili, le të themi, e ndryshon tërësisht natyrën e vlerësimit dhe shqyrtimit të kërkesës së SPAK në raport me dhënien e autorizimit për zëvendësimin e arrestit personal, atë të ndaljes së daljes jashtë shtetit me atë me arrest me burg. Ky fakt ka të bëjë se deputetja në fjalë nuk ushtron më funksione ekzekutive për shkak të ndryshimeve në kabinet.

Për rrjedhojë masa e pezullimit personal nuk prodhon më asnjë efekt dhe në të njëjtën linjë arsyetimi raporti ynë e qartëson edhe narrativën mbi të cilën SPAK ka ndërtuar kërkesën për aplikimin e masave më të rënda të sigurimit personal: të arratisjes, prishjes së provave apo kryerjes së veprës penale, të cilat ngelen hipotetike për sa kohë lidhen drejtpërdrejt me ushtrimin e funksioneve ekzekutive, të cilat deputetja në fjalë nuk i ushtron më!/Versus.al

Tags:

ulsi manja

Poll