Gjatë takimit që pati me fermerët në Berat, kryeministri Edi Rama e vuri theksin tek ai që e konsideroi si një “problem’ të madh me kryebashkiakët e vendit. Teksa tha se Reforma Territoriale duhej të ishte edhe më e fortë me më pak bashki, sërish u shpreh se ndryshimet e bëra ishin efektive.
“Ne kemi një problem sot akoma me bashkitë. Ja ku është nga më të suksesshmit që kemi ne, porn ë këtë pikë nuk bën ndonjë ndryshim. Ne bëmë reformën territoriale ku bashkuam shumë funksione. Madje mendoj se Reforma Territoriale duhej bërë, porn ë fund u bënë kompromise. Por duhej bërë akoma më e fortë, me më pak bashki, por gjithsesi bëmë tjetër kapërcim nga 360 që ishin”- tha kreu i qeverisë.
Por, sipas Ramës kryebashkiakët kanë mbetur në detyrat “tradicionale” të tyre dhe i kanë trajtuar zonat rurale sikur të jenë pjesë e qytetit duke u marrë vetëm me pastrimin dhe ndriçimin. Kreu i qeverisë tha se pas zgjedhjeve të 11 majit, do të ketë një iniciativë për të bërë të mundur që bashkitë të përfshihen më shumë në prodhimet e fermerëve dhe të jenë ortake.
“Çfarë ndodh? Kryetarët e bashkive vazhdojnë ta shohin fshatin si pjesë të qytetit, rrugë, kanale ndriçim publik dhe pastrim. Nuk janë futur tek zemra që është prodhimi, grumbullimi, përpunimi. Nuk janë futur tek marketingu. Ndërkohë që ju e dini më mirë se unë që në vendet e zhvilluara bashkitë janë partnerë dhe ortakë. Nuk jetojnë vetëm me çfarë u jep qeveria, por bëjnë biznes. Ne në mandatin e katërt, këtë do e fuqizojmë jashtëzakonisht shumë. Bashkia kur ka një problem me 50 fermerë që kanë një prodhim dhe nuk arrijnë ta grumbullojnë. Bashkia i bashkon këta dhe futet vetë duke u bërë një gjë e përbashkët. Mos të them që bashkia mund të bëjë një partneritet me gjithë agroturizmat duke u thënë sa më shumë verë të shesësh aq më shumë do marrësh nga unë. Bashkarisht i drejtoheni qeverisë dhe bankave për mbështetje”- u shpreh Rama. Versus.al








