Monika Kryemadhi prej disa kohësh është distancuar nga politika aktive, edhe pse është deputete e Partisë së Lirisë.
Konflikti politik me Ilir Metën brenda partisë dhe divorci bashkëshortor me të, duket se ka bërë Kryemadhin të gjejë pasione të tjera në jetë.
Në një intervistë për emisionin Opinion në Tv Klan, Monika Kryemadhi deklaroi se aktualisht është e përfshirë në disa projekte. Një ndër to është edhe kinematografia.
Sipas saj, aktualisht po merr pjesë në xhirimet e një filmi që pritet ta ketë premierën gjatë muajve të Verës.
"Unë kam disa projekte në dorë duke bërë. Jam në realizimin e një filmi artistik, me një grup të rinjsh, kam një rol të rëndësishëm, i cili quhet “Me Fat”.
Është një film shumë interesant që ka në thelb familjen, ëndrrat e të rinjve për t’i realizuar dhe se si sfidat me të cilat ata përballen dhe përplasen, shoqëria në të cilën ne jetojmë e cila vjen në mënyrë nga më të ndryshmet.
Shpresojmë që ta nxjerrim në verë shumë shpejt, jemi duke xhiruar, janë xhiruar një pjesë e skenave dhe jemi duke xhiruar akoma.
Jam e bindur që do t’ju pëlqejë sepse është shumë interesante. Mendoj që do të jetë diçka ndryshe që ka një lloj ndikimi sadopak edhe në jetën time politike dhe aktive."-tha deputetja e Partisë së Lirisë.








