
Tre deputetë të Partisë Demokratike Zheni Gjergji, Dhurata Çupi dhe Saimir Korreshi kanë vizituar sot ish-deputetin e burgosur prej dy javësh në burgun e Fierit, Ervin Salianjin.
Në reagimin e bërë në rrjetet sociale, deputetja Gjergji përshkruan gjendjen e Salianjit në qeli, duke cekur se pavarësisht vështirësive për një ish-deputet të jetë në atë ambient, sërish Salianji përpiqej të ishte optimist.
“E vërteta s'mund të prangoset. Sot bashkë me kolegët Dhurata Çupi dhe Saimir Korreshi vizituam në ambjentet e I.E.V.P Fier, kolegun tonë Ervin Salianji!
Kam mbetur e befasuar nga optimizmi dhe forca që kam konstatuar tek Ervini përgjatë gjithë asaj bisede që kemi zhvilluar. Nuk është e lehtë për një djalë të ri, të shkolluar, ambicioz, për një politikan të ri, ta gjej veten në ato rrethana izolimi, por Ervini na dha shumë pozitivitet dhe optimizëm në gjithë bisedën.
Shqipëria po përjeton ditë aspak të mira sa i takon shtetit të së drejtës dhe lirive të individit dhe kolegu Salianji është reflektimi më i pastër i rikthimit të dënimeve dhe burgosjeve politike. Nënkryetari i grupit parlamentar të PD dhe drejtuesi politik i qarkut të Elbasanit sot është në burg jo se ka vjedhur paratë e taksapaguesve shqiptarë. Salianji sot nuk është në burg se ka përfituar tendera apo se ka të kaluar kriminale”- shkruan deputetja.
Ajo theksoi edhe njëherë se sipas saj, Salianji ka bërë një sakrificë duke shkruar në burg, vetëm se guxoi të ngrinte zërin për vëllain e ish-ministrit Fatmir Xhafaj.
“Ervini sot është në burg se guxoi dhe ngriti zërin për vëllain e ish-ministrit të Brendshëm, të dënuar për trafik droge. Heqja e lirisë është nga njëra anë një nga aktet më të rënda që mund t'i shkaktohet një individi, ndërkohë nga ana tjetër sakrifica e Salianjit është dhe duhet të jetë për të gjithë ne kolegët e tij një mesazh i fortë rezistence. Dua t'i përcjell përshëndetjet më të përzemërta të Ervin Salianjit nga I.E.V.P Fier për të gjithë demokratët.”- përfundon Gjergji në reagimin e saj.
Ervin Salianji u dorëzua në policinë e Tiranës me 27 shtator pasi u dënua me 1 vit burg për ‘kallëzim të rremë’ në dosjen Babale. Më 30 shtator, kryeparlamentarja Elisa Spiropali lexoi shkresën e prokurorisë duke njoftuar tashmë vakancën e vendit të Salianjit si deputet në Kuvend. Me këtë, PD nisi aksionin e dhunshëm opozitar që tashmë ka kaluar në paralajmërime për ‘mosbindje civile’ deri në krijimin e një qeverie teknike. Versus.al








