
Gjykata Kushtetuese e ka rrëzuar kërkesën e Partisë Demokratike për heqjen e mandatit socialist, Vullnet Sinaj. Pasi Kuvendi vendosi që të mos e dërgonte çështjen në Kushtetuese, PD iu drejtua gjykatës më të lartë të vendit duke i kërkuar që ta shpallte ‘të papajtueshëm’ vendimin për të mos e shqyrtuar mandatin e Sinajt.
Sipas demokratëve, deputeti duke përdorur bizneset e tij ka përfituar 36 mijë euro nga buxheti i shtetit.
Kërkesat e PD drejt Gjykatës Kushtetuese:
Zgjidhjen e konfliktit të kompetencave ndërmjet Kuvendit të Shqipërisë dhe subjektit kushtetues në konflikt, jo më pak se 1/10 e deputetëve.
Deklarimin si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, të vendimit nr. 5, datë 30.01.2025 “Për mosdërgimin e mocionit në Gjykatën Kushtetuese” për konstatimin e papajtueshmërisë së mandatit të deputetit Vullnet Sinaj.
Detyrimin e Kuvendit të Shqipërisë për dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të mocionit për konstatimin e papajtueshmërisë të mandatit të deputetit Vullnet Sinaj
Seanca përfundoi me vendimin e Kushtetueses për të rrëzuar kërkesat e demokratëve të cilët edhe gjatë komisionit parlamentar të ngritur për këtë çështje pretenduan se kishin gjetur shkelje të Vullnet Sinajt të cilat binin ndesh me ligjin dhe e bënin mandatin e tij të pavlefshëm.
Kreu i grupit parlamentar, Gazment Bardhi pati përplasje me Sinajn për të cilin pretendoi se të dhant zyrtare tregonin se kompania ku ai është aksioner, ka përfituar para nga buxheti i shtetit falë 9 transaksioneve. Sinaj nga ana tjetër i ka cilësuar “qesharake” dhe ‘farsë’ akuzat ndaj tij duke argumentuar se është tërhequr nga administrimi i bizneseve që prej kohës që ka marrë mandatin e deputetit. Versus.al







