Gjykata Kushtetuese ka publikuar edhe arsyetimin e saj mbi pezullimin e dekretit të presidentit Bajram Begaj sa u takon zgjedhjeve për bashkinë e Tiranës, të planifikuara për t’u mbajtur më 9 nëntor.
Duke iu referuar kërkesës së dorëzuar nga kryebashkiaku i shkarkuar Erion Veliaj kundër vendimit të marrë me shumicë votash në këshillin bashkiak, gjykata thekson se Veliaj kishte dorëzuar edhe një kërkesë shtesë për shfuqizimin e dekretit të Begajt.
Në argumentimin e bërë, thuhet se nëse dekreti i Begajt për zgjedhjet në Tiranë do të zbatohej edhe pse çështja për shkarkimin e Veliajt është ende në shqyrtim, atëherë do të sillte pasoja të pakthyeshme në dëm të këtij të fundit.
Arsyetimi i Kushtetueses:
2.Në mbështetje të kërkesës për pezullim, kërkuesi ka pretenduar se, për sa kohë Kushtetuta i kadhënë Gjykatës kompetencën dhe përgjegjësinë për të garantuar të drejtën e organit të zgjedhur vendor ajo duhet të ndalojë pasojat e paligjshme që vijnë nga dekreti i Presidentit. Sipas tij, zbatimi i dekretit përpara se të shprehet Gjykata për ligjshmërinë e VKM-së që e ka shkarkuar atë nga detyra, rrezikon të prodhojë pasoja të rënda, të parikthyeshme, që prekin jo vetëm pozitën institucionale të të zgjedhurit vendor, por edhe interesat shtetërore, shoqërore dhe të qytetarëve. Kërkuesi ka pretenduar se pasojat e mundshme janë organizimi i zgjedhjeve në një bashki ku nuk ekziston vakanca juridike; shpenzimet e burimeve njerëzore e financiare për organizimin e zgjedhjeve; një proces zgjedhor i imponuar politikisht dhe kundër vullnetit të qytetarëve. Po sipas tij, në rast se nuk vendoset pezullimi, vendimi i Gjykatës nuk do të rivendosë situatën e mëparshme dhe pasojat do të ishin të pakthyeshme, duke u krijuar një precedent i rrezikshëm, zëvendësimi i të zgjedhurit vendor përpara se të vendoset vlefshmëria eshkarkimit.
3.Sipas nenit 45, pika 1, të ligjit nr. 8577/2000, të ndryshuar, Gjykata, kryesisht ose me kërkesë të palëve, kur vlerëson se zbatimi i ligjit ose aktit mund të sjellë pasoja që prekin interesa shtetërore, shoqërore ose të individëve, sipas rastit, me vendim të Mbledhjes së Gjyqtarëve ose në seancë plenare urdhëron pezullimin e tij. Sipas kësaj dispozite, së pari: subjekti që kërkon pezullimin e një akti duhet të provojë prekjen e interesave shtetërore, shoqërore ose të individëve, si dhe pasojat e pariparueshme që do të sjellë zbatimi i aktit; së dyti: shqyrtimi i kërkesës mund të bëhet nga Gjykata përpara ose në seancë plenare.
4.Mbledhja e Gjyqtarëve, pasi mori në shqyrtim pretendimet e kërkuesit në mbështetje të kërkesës për pezullim, vlerësoi se në rastin konkret ajo ndodhet në kushtet e parashikuara nga neni 45 i ligjit nr. 8577/2000. Në vlerësimin e Mbledhjes së Gjyqtarëve zbatimi i dekretit të Presidentit për zhvillimin e zgjedhjeve vendore vetëm për Bashkinë e Tiranës, do të sillte pasoja të pariparueshme në drejtim të të drejtave të të zgjedhurit vendor (kërkuesit), për sa kohë çështja gjyqësore për shkarkimin e tij është ende në shqyrtim.
PËR KËTO ARSYE, Mbledhja e Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, në mbështetje të nenit 45, pika 1, të ligjit nr. 8577, datë 10.2.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar dhe nenit 27, të Rregullores për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës, njëzëri,VENDOSI:
1.Pezullimin e dekretit të Presidentit të Republikës së Shqipërisë nr. 350, datë 1.10.2025 “Për caktimin e datës së zgjedhjeve të pjesshme vendore për kryetar bashkie, për disa njësi të qeverisjes vendore” për pjesën që cakton datën e zgjedhjeve vendore në Bashkinë Tiranë.
Ndërkohë, data për zgjedhjet e parakohshme në 5 bashkitë e tjera, vijon të mbetet 9 nëntori. Versus.al







