Përplasja e kryeministrit me qytetarin që iu ankua për problemet e infrastrukturës dhe ryshfetit në IKMT edhe për një “kotec pulash” vijoi edhe pas përfundimit të takimit në ish-uzinën e Autotraktorëve.
Rama i kërkoi qytetarit emra konkretë, ndërsa ky i fundit i kërkoi të shkonte tek hipoteka për të parë më afër rastet. Kryeministri e akuzoi se gënjeu për të bërë politikë, ndërsa qytetari tha se nuk ka lidhje me asnjërën parti, vetëm kërkon që të bëhet puna dhe t’u lehtësohet jetesa.
Pjesë nga debati:
Qytetari: Ju e dini shumë mirë sesi janë punët. Do t’i tregoj, por tek hipoteka shko atje sipër. Nuk jam as me PS as me PD, hajde shiko rrugët, se aty vuaj unë. Nuk është punë demokratë e socialistë.
Rama: Ti do më tregosh kush kujt i ka dhënë lekët.
Qytetari: ta tregoj si gjithë shqiptarët, se asnjë nuk e ka bërë pa lekë, të gjithë ashtu e kanë bërë. Unë po them bëni punën dhe votën time e keni.
Rama: Nuk më intereson fare vota jote, ti do tregosh se kush kujt i ka dhënë lekët.
Qytetari: Si gjithë të tjerët, kjo zonë kështu ka funksionuar!
Rama: Do t’i vendosësh një emër. Nuk e ke, gënjeve për të bërë politikë.
Qytetari: Nuk më intereson as Sali Berisha as askush,
Rama: po përse ma përmend, unë nuk e njoh fare.
Qytetari: Nuk më intereson as e djathta as e majta, më intereson kush bën punë atë do votoj.
Rama: ti gënjeve dhe unë e di që gënjeve. Pranoje thuaje e bëra për gjithë shqiptarët.
Qytetari: Nuk e bëra për atë, është e vërtetë. Versus.al








