
Kryesocialisti Edi Rama ka dërguar një mesazh me doza të forta kritike në grupin Whatsapp të skuadrës së deputetëve të Tiranës.
Sipas gazetarit Muhamet Veliu, Rama kërkon qëndrim pa ekuivokë të deputetëve të Partisë Socialiste, lidhur më pavarësinë e drejtësisë, kryesisht SPAK-un. Shkak për këtë reagim të ashpër të kreut të qeverisë thuhet se është bërë një interviste e deputetit Etjen Xhafaj në një studio televizive.
“Jam pa fjalë! E paimagjinueshme se si një deputet i Partisë Socialiste mund të flasë si në kafene, si tifoz, duke bërë një avokati banale që për më tepër s’ndihmon askënd hiç fare, ndërkohë që s’ka asnjë lidhje me qëndrimin tonë parimor për paraburgimin pa gjyq të kryebashkiakut të kryeqytetit! A është i pafajshëm a i fajshëm Erioni apo kushdo tjetër, këtë s’ia ka ngarkuar askush as PS, as mua e as Etienit natyrisht, që ta thotë në mexhelis”.
Më tej në mesazhin e tij Rama u jep ultimatum deputetëve socialistë që të mos merren në asnjë rast që cënon pavarsinë e SPAK. Çdo deputet duhet të merret në çdo moment me detyrat për një fitore triumfale në 11 Maj.
“Nuk dua të dëgjoj më asnjë prononcim që cenon pavarësinë e SPAK-ut, lidhur me rastin a me rastet konkrete, me përmbajtjen e akuzave a me pretendimet e të akuzuarve! STOP! Mbështetja jonë për SPAK-un, mbetet e palëkundur dhe kritikat tona parimore të mundshme, nuk janë as me kohë e pa kohë, as pune e kujt t’i teket nga deputetët ose përfaqësuesit e tjerë të PS! Kështu që fokusohuni tek detyrat tuaja, ku nuk hyn gjëkundi muhabeti i kafenesë për drejtësinë”.
Rama i ka kërkuar gjithashtu Elisa Spiropalit ta përcjellë këtë mesazh edhe tek grupi i deputetë të qarqeve të tjera të vendit./Versus.al








