“PS është garancia e vetme për ekzistencën e SPAK”. Ky ishte mesazhi që përcolli kryeministri Edi Rama gjatë komunikimit në rrjetet sociale me qytetarët.
Ai tha se ndryshe nga sa pretendohet se SHBA e ka nën kontroll SPAK-un, ekspertët amerikanë janë larguar nga institucioni dhe nuk pati reagim nga ambasada për deklarata të tij që BE i konsideroi si “presion” ndaj drejtësisë.
“Jemi para një fakti shumë të thjeshtë dhe dua që të gjitha ata që insistojnë që këtu janë të gjithë për burg, rroftë SPAK-u. SPAK është një institucion i krijuar nga vullneti i PS dhe sot e keni më të thjeshtë. Ata që thonë SPAK-un e solli Amerika se ajo do i fusë të gjithë në burg. Sa për dijeni, SHBA nuk është më këtu, i kishte njerëzit e vetë që e asistonin, por tashmë i ka tërhequr. Për herë të parë në historinë e marrëdhënieve tona, keni dëgjuar ndonjë deklaratë të SHBA për SPAK-un? Vetëm BE bëri një deklaratë për ato që quheshin presione”- u shpreh Rama.
Më tej deklaroi se nëse do të kishte në plan shkrirjen e SPAK-ut dhe nëse do të ishte i shqetësuar, do të mjaftonte t’i jepte shenjë kryedemokratit Sali Berisha.
“Por unë ato që thashë i them prapë dhe nuk i heq asnjë presje. Sepse bëhet fjalë për institucione të reja që kanë nevojë për kritika konstruktive. Këneta është e përbetuar nëpërmjet gojës së bufit që do ta shkrijë SPAK-un. Bufi thotë do ta shkrij SPAK-un, por nëse do isha edhe unë i trembur dhe i shqetësuar për këtë siç përpiqen të më pikturojnë disa, kjo do ishte më e thjeshta, një fishkëllimë bufit dhe e di si do vinte? Menjëherë se e sjell tmerri që ka me drejtësinë dhe SPAK-un për të kaluarën që nuk e blen dot e nuk e ndryshon dot. Menjëherë nuk do ishte më SPAK dhe do e shihnit se nuk do hapte gojën Amerika sepse ka ndryshuar qasjen për momentin. Pra, SPAK është aty dhe do jetë aty me mbështetjen e kësaj partie. Ne jemi vullneti i shumicës së popullit shqiptar që kërkon që SPAK të jetë aty”- shtoi kryeministri.
Ai tha se do të vijojë me kritikat sa i takon mënyrës së marrjes në pyetje nga prokurorët e SPAK. Versus.al








