Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka reaguar sot për herë të parë për takimin e mbajtur ditën e djeshme nga Ervin Salianji e Ilir Alimehmeti me kandidatët e PD më të votuar nëpër qarqe të ndryshme të vendit.
Berisha tha se PD është partia më e hapur në vend ku lejohet mendimi ndryshe. Sipas tij ka nisur procesi i analizës së brendshme, por theksoi se takimi i djeshëm nuk përbën asnjë risi.
“Normalisht takimet në kafe nuk meritojnë komente. Por PD është partia më e hapur e këtij vendi për çdo lloj mendimi apo ideje. Procesi i analizës së brendshme ka nisur. Kjo nuk përbën asnjë lloj lajmi dhe risie thjesht mediat e përdorin këtë për të mbuluar superskandalet e Ramës. Diversitet në mendime në këtë parti ka patur dhe do ketë përsa kohë do jetë PD”- tha Berisha.
Lidhur me mundësinë që në zyrën e tij të mbërrijë një mendim i formuluar nga më të votuarit, Berisha tha se secili prej personave të pranishëm në takim e kanë mundësinë sesi të shprehin mendimet brenda instancave të PD.
“Për listat e hapura, janë njerëz të nderuar aktivistë të shquar dhe njerëz me kontribute të pamohueshme dhe është gjëja me normale mendimi ndryshe në këtë parti. Ervin Salianji është anëtar I kryesisë së PD dhe e ka vendin ku t’i shprehë mendimet. Ilir Alimehmeti është këshilltari i parë i PD-së në Tiranë. Çdo demokrat e pres në zyrë”- shtoi më tej kryedemokrati. Versus.al

