
Kryedemokrati Sali Berisha shfaqi shenja pranimi të rezultatit para gazetarëve duke u shprehur se një gjë e tillë ishte e pritshme duke parë sesi u zhvillua fushata dhe shkeljet e PS për të marrë vota.
Megjithatë Berisha u bëri thirrje të gjithë komisionerëve që të numërojnë çdo votë të hedhur për PD.
“Jam këtu për të shprehur mirënjohje e falenderim për ata komisionerë e numërues që gjatë natës kanë numëruar votat e qytetarëve. U bëj thirrje të gjithë strukturave të PD, komisionerëve e vëzhguesve, kandidatëve që të bëjnë gjithçka që të numërohet çdo votë me përkushtimin më të madh. Sepse çdo votë, Meriton nderimin e vlerësimin më të madh. Unë sot këtë kisha qëllim kryesor të paraqitjes para jush. Një thirrje për demokratët që të tregojnë përkushtimin maksimal në numërimin e çdo vote të hedhur në kuti dhe të mos ketë asnjë ndikim nga asgjë”- tha Berisha.
Më tej tha se do të ketë një përfundim të nxjerrë pas përfundimit të numërimit në gjithë vendin. Ai përmendi disa prej veprimeve të PS si zyrat ilegale, faljen e qindra milionë euro gjobave si faktorëve ndikues në këtë rezultat.
“PD u ka thënë shqiptarëve dhe botës se çfarë është procesi elektoral në Shqipëri. Këtu të mos ketë kush asnjë iluzion se këto konkluzione kanë qenë politike. Jo, ato kanë qenë të bazuara dhe të çertifikuara nga forume politike ndërkombëtare. Le të durojmë për të përfunduar edhe numërimin e votës së fundit. Atëherë PD do bëjë të gjithë vlerësimet e saj. Kësaj here mjafton të lexoni kriteret, nëse mbillen dhjetëra mijëra kanabis për votë, nëse punësohen dhjetëra mijëra punonjës për votë. Nëse ju patë qendrat e votimit në katër anë me zyra ilegale të PS-së, ju nëse patë faljen e 150 milionë eurove gjoba, ndihmë 170 mijë qytetarëve, atëherë emrin zgjedhjeve ua vini vetë, kjo nuk është përgjegjësi e opozitës”- shtoi Berisha. Versus.al







