POLITIKË /

Videot ironizuese për Lapajn dhe Berishën, Rama: Satirë! Unë argëtohesha kur më imitonin te Portokallia

Shkruar nga Versus

Videot ironizuese për Lapajn dhe Berishën, Rama: Satirë! Unë

Kryeministri Edi Rama gjatë komunikimit në rrjetet sociale me qytetarët, i ka kthyer përgjigjie një komentuesi i cili i bënte vërejtje për mungesën e seriozitetit të shprehjes në publik. Rama solli në vëmendje videon e animuar që kishte publikuar duke ironizuar kreun e Nismës Shqipëria Bëhet, Adriatik Lapaj dhe kryedemokratin Sali Berisha duke thënë se faqja e tij kishte pasur komente negative nga kandidatët e partisë së re.

Duke e cilësuar si “satirë” videon e publikuar, Rama tha se është shqetësues fakti që kandidatët e rinj nuk janë në gjendje të përballojnë humorin.

“Unë bëj humor dhe humori im bezdis shumë ata që janë kundërshtarë tanët. Por nuk bëj dot ndryshe, sepse unë nuk shaj nuk u them njerëzve o kriminel e maskara. Këto janë forma barbare komunikimi. Më pëlqen të përdor satirën. Para ca ditësh është postuar në këtë faqe një episode i krijimit të dy të rinjve, një teatër kukullash i lezetshëm për të dhënë mesazh kuptimplotë. Është sulmuar faqja nga një tufë e madhe kandidatësh politikë nga këta të rinjtë. Por e vetmja gjë që nuk kuptoj nga ai sulm i organizuar i deputetëve të rinj politik, është vjetërsia e mendjes së tyre që nuk është në gjendje të përballojë as humorin as satirën”- tha Rama.

Për të argumentuar bindjen e tij, mori shembullin e aktorit që luante personazhin e tij në Portokalli duke u shprehur se argëtohej duke qeshur ndërkohë që të tjerët habiteshin përse e toleronte atë që e quanin “tallje”.

“Është e rrezikshme kur nuk e përballon dot. Mua gjithmonë më ka ardhur çudi me njerëzit që shqetësoheshin se përse bëjnë humor këta. Kam qenë vërtet i argëtuar kur më në fund u gjet një aktor në gjatësinë time dhe me talentin e duhur për të luajtur në Portokalli personazhin tim dhe më bënte të qeshja me lot kur e shikoja, por që njerëzit e tjerë shqetësoheshin që si ka mundësi që tallet portokallia këtu e atje. Humori është një mënyrë komunikimi shumë serioze për hir të së vërtetës”- shtoi kryeministri. Versus.al

Poll
Më poshtë do të gjeni dhe kandidatët e Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike për të gjitha qarqet: