POLITIKË /

Vjen ora vendimtare, tentativa e fundit për konstituimin e Kuvendit të Kosovës

Në rast se edhe kësaj radhe dështon formimi i Kuvendit, hyn në fuqi vendimi i Gjykatës Kushtetuese për pezullim të përkohshëm të çdo aktiviteti parlamentar, që do të nisë nga 27 korriku 2025 dhe do të zgjasë deri në një vendim tjetër të gjykatës.

Shkruar nga Versus

Vjen ora vendimtare, tentativa e fundit për konstituimin e Kuvendit të

Deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Kosovës mblidhen për të 54-tën herë në përpjekje për ta konstituuar legjislaturën e re. Kjo përpjekje e fundit vjen vetëm pak orë para përfundimit të afatit 30-ditor të vendosur nga Gjykata Kushtetuese.

Në rast se edhe kësaj radhe dështon formimi i Kuvendit, hyn në fuqi vendimi i Gjykatës Kushtetuese për pezullim të përkohshëm të çdo aktiviteti parlamentar, që do të nisë nga 27 korriku 2025 dhe do të zgjasë deri në një vendim tjetër të gjykatës.

Në njoftimin zyrtar, Gjykata thekson se masa është vendosur ex officio, me arsyetimin se çdo veprim i mëtejmë mund të shkaktojë “dëme të pariparueshme për rendin kushtetues dhe funksionimin e institucioneve kyçe” të Republikës së Kosovës. Sipas vendimit, ndalimi i çdo vendimi apo veprimi të deputetëve pas 26 korrikut është vendosur në interes publik, për të garantuar themelimin e ligjshëm të institucioneve shtetërore pas zgjedhjeve.

Çfarë po e bllokon konstituimin?
Përplasjet politike mes partive vazhdojnë pa kompromis. Lëvizja Vetëvendosje po insiston në emrin e Albulena Haxhiut si kryetare e Kuvendit, por kjo nuk po shihet si zgjidhje e pranueshme nga partitë opozitare.

PDK dhe AAK i kanë kërkuar LVV-së të propozojë një tjetër emër,
ndërsa LDK ka deklaruar se nuk do të votojë asnjë kandidat nga LVV.
Mospajtimi për kryeparlamentarin ka futur vendin në një ngërç të thellë institucional, ku si opsion përmenden edhe zgjedhjet e reja. Por, sipas ish-kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, zgjedhjet pa konstituim të Kuvendit janë të pamundura, edhe nëse tejkalohet afati kushtetues 30-ditor. Sipas Hasanit, një skenar i tillë do ta kompromentonte rëndë vetë legjitimitetin e Kuvendit dhe funksionimin kushtetues të shtetit.

Nëse Kuvendi nuk arrin të konstituohet sonte, pason një periudhë ngrirjeje të aktivitetit parlamentar, ku çdo vendim apo veprim i deputetëve konsiderohet i pavlefshëm deri në një vendim të ri të Gjykatës Kushtetuese.

Situata politike mbetet e tensionuar, ndërsa qytetarët dhe institucionet janë në pritje të një zgjidhjeje për të dalë nga bllokada institucionale që ka paralizuar vendin për më shumë se një muaj.

Poll