Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja e zbardhur ditën e djeshme në Shënavlash ku u mësua se Esmerald Balla prej 20 ditësh kishte vrarë të atin dhe i kishte hedhur trupin në pus.
Një 25 vjeçar i identifikuar si Edison Brahaj është arrestuar nga policia nën dyshimin se ka bashkëpunuar me Esmerald Ballën për të vrarë dhe zhdukur 62 vjeçarin. Brahaj i cili është shok me Esmerald Ballën akuzohet se e ka ndihmuar këtë të fundit të transportojë me makinë trupin e pajetë të 62 vjeçarit të vrarë, kufoma e të cilit u gjet në një pus. Gjatë kontrollit në banesën e Edison Brahajt, u gjet dhe u sekuestrua një shumë prej 145 000 lekësh.
Djali vrasës kreu krimin në datën 13 gusht, ndërsa 20 ditë më vonë e denoncoi babain e tij si të zhdukur. Efektivët e krimeve të rënda zbuluan ngjarjen falë përgjimit të djalit të cilit në telefon iu gjetën dhe prova që e bënin të dyshuarin kryesor si autor të ngjarjes.
30 vjeçari trilloi historinë se babai i tij kishte ikur me një femër madje për ta bërë të besueshëm këtë variant hapi një profil fallco në instagram dhe i dërgoi mesazh vëllait të tij duke u shtirur si gruaja me të cilën ishte larguar i ati që kishte vrarë.
Sipas dëshmisë së Esmerald Ballës, konflikti kishte nisur me të atin për shkak të shumës 75 mijë euro që ishte zhdukur ditën që donte të bënte pagesën për banesën që po ndërtonte. Gjatë përplasjes me të atin, Esmerald Balla tha se në moment gjaknxehtësie 62 vjeçari i kishte drejtuar armën dhe gjatë momentit kur kishte tentuar t'ja merrte, arma ishte shkrehur duke bërë që i ati të qëllohej. Versus.al







