Valter Bami, vëllai i Durim Bamit, një emër i njohur për drejtësinë shqiptare, është kapur në shkelje të masës së sigurisë “arrest shtëpie”, gjatë një kontrolli rutinë nga Policia Rrugore në Elbasan.
Ngjarja ka ndodhur ditën e sotme, në zonën e njohur si “Rrethrrotullimi i Luleve”, ku efektivët e qarkullimit rrugor ndaluan një automjet tip "Audi", i drejtuar nga shtetasja E. S.. Gjatë kontrollit, në mjet u konstatua si pasagjer edhe Valter Bami.
Sipas burimeve nga policia, Bami i ka kërkuar oficerëve që të mos e vononin me procedurat, duke pretenduar se ndodhej në “hasmëri”. Megjithatë, pas verifikimeve të identitetit dhe statusit ligjor, u konstatua se ai po lëvizte në kundërshtim me masën e sigurisë “arrest shtëpie”, të caktuar më herët nga gjykata.
Për pasojë, Valter Bami u shoqërua në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, së bashku me shtetasen E. S. dhe automjetin me të cilin po udhëtonin.
Emri i Valter Bamit është lidhur me ngjarje të rënda kriminale. Ai është një nga të dyshuarit për përfshirje në atentatin në Larushk të Krujës, ku mbeti i vrarë 29-vjeçari Ramazan Sino, kunati i Gentian Bejtjas, një tjetër emër i njohur në botën e krimit.
Ngjarja është aktualisht në hetim, ndërsa organet kompetente pritet të rishqyrtojnë masën e sigurisë ndaj Bamit, për shkak të shkeljes së kushteve të arrestit shtëpiak.







