Francë- Ish-presidenti i dënuar, Nicolas Sarkozy ka vendosur të ndjekë vetë një regjim të veçantë ushqimor.
Duket se qëndrimi në burg për ish-presidentin francez Nicolas Sarkozy nuk është aspak i lehtë dhe ka shkaktuar shqetësim në rrethin e tij të ngushtë dhe familjen.
Sipas mediave franceze, Sarkozi ka vendosur të ndjekë vetë një regjim të veçantë ushqimor, duke refuzuar të hajë çdo ushqim që i ofrohet në burg. Dyshohet se kjo masë vjen nga frika e helmimit të mundshëm. Duke kuptuar ndjenjat armiqësore që shumë nga të burgosurit e tjerë kanë ndaj tij, ai refuzon të prekë pjatat që i serviren në qelinë e tij.
Ajo që e bën problemin edhe më të madh është se ish-presidenti e ka "djegur" alternativën tjetër për ushqyerjen, marrjen e lëndëve të para nga mensa dhe përgatitjen e ushqimit vetë.
"Ai as nuk di të ziejë një vezë! Dhe, që nga fillimi, e hodhi poshtë si mundësi"-, zbulon një person nga rrethi i tij i ngushtë.
Kështu, që nga dita e arrestimit të tij rreth 3 javë më parë, Nicolas Sarkozy ka ngrënë ekskluzivisht kos. Ajo që mbetet për t’u parë është nëse ky agjërim i veçantë që po mban ish-presidenti do të “ndikojë” te gjyqtari, i cili më 10 nëntor do të thirret për të vendosur për lirimin e tij.
Sarkozi po vuan një dënim me pesë vjet burg për dyshimin se ka financuar fushatën e tij zgjedhore të vitit 2007 nga Libia, kryesisht nga Muamar Gadafi. Dy oficerë policie të armatosur janë thirrur për ta mbrojtur atë brenda burgut në bazë 24-orëshe. Versus.al
