Çfarë do të gjeni në brendësi
*Protesta e opozitës, paralajmëruar si mosbindje civile ka nisur rreth orës 18:00 të ditës së sotme, ndërsa drejtuesit e PD-së kishin deklaruar se nuk do të kishte fjalime. *Protestuesit të cilët erdhën nga drejtime të ndryshme, u mblodhën në sheshin përballë Kryeministrisë, ndërsa pak minuta më pas deputetët e PD-së kanë nisur përplasjet e para me policët duke ndezur konfliktin. *Drejt Kryeministrisë janë hedhur molotovë e mjete të tjera piroteknike, ndërsa protestuesit më pas kanë sulmuar njëjtë dhe selinë e PS-së. *Marshimi ka nisur drejt Bashkisë, Ministrisë së Brendshme si dhe Parlamentit duke hedhur molotovë, ndërsa janë neutralizuar nga policia me gaz lotsjellës. *Policia e Shtetit ka deklaruar se nga sulmet kanë mbetur të dëmtuar 10 efektivë policie, ndërsa ka kërkuar ndaljen e dhunës. *Të dëmtuar kanë mbetur dhe disa qytetarë
Kujdes, pamje shqetësuese/ Protesta, digjet nga flakët e molotovit babai i aktores shqiptare, përfundon në spital
Një protestues ka pësuar djegie të rënda nga molotovi i hedhur në protestën e sotme të opozitës.
Protestuesi ka marrë djegie të rënda në pjesën e krahut, dhe është dërguar me urgjencë në spital.
Ai është babai i aktores shqiptare Juli Emiri.
Vetë aktorja është shprehur për mediat, se i ka shuar vetë flakët, duke përdorur një shishe uji.
Ministri i Brendshëm Hoxha: 3 policë ende në spital, asnjë protestues i lënduar
Pas mbylljes së protestës së opozitës, ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, ka dhënë një përditësim nga spitali ku po marrin trajtim efektivët e lënduar. Ai njoftoi se nga 10 policë të lënduar, 3 prej tyre ende janë në spital, ndërsa theksoi se asnjë protestues nuk ka pësuar dëmtime.
“Punonjësit e policisë kanë përjetuar dëmtime të lehta. Disa prej tyre janë rikthyer në shtëpi, ndërsa tre janë ende nën kujdesin e mjekëve. Menaxhimi i protestës ka qenë në përputhje me ligjin,” deklaroi Hoxha.
Ai theksoi se reagimi i Policisë së Shtetit ishte në përputhje me standardet europiane. “Policia do të vazhdojë të jetë e angazhuar për të përballuar çdo situatë proteste. Kjo protestë kishte elemente dhune, dhe në situata kur punonjësit e policisë përballen me rrezik, do të ketë një reagim të nevojshëm,” shtoi ai.
Hoxha theksoi se “nuk po them se do të kemi një reagim më të ashpër,” por përfundoi se “Policia e Shtetit ka vepruar sipas standardit të një policie europiane, përkundër natyrës së dhunshme të protestës.”
Ministri Hoxha, vizitoi punonjësit e plagosur së bashku me drejtorin e ri të Policisë së Shtetit Ilir Proda dhe me drejtorin e Policisë së Tiranës Tonin Vocaj.
Mbyllet protesta e opozitës, Noka: Ne do të jemi këtu të vazhdojmë mosbindjen civile deri në krijimin e qeverisë teknike
Pas gati 4 orësh, sekretari i përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka e ka mbyllur protestën e mosbindjes civile të opozitës.
Duke folur në hyrje të selisë së PD, Noka u shpreh se, qytetarët do të jenë këtu deri në plotësimin e kërkesave të tyre.
‘Ishte dita e parë që mosbindja civile zbriti në rrugët e Tiranës.
Regjimi narkos i tërbuar, sot mori një mesazh; jepi zgjidhje kërkesës së qytetarëe, jepi zgjidhje qeverisë teknike, ndryshe narkosi në pushtet nuk do të ketë paqe asnjëherë.
Sot ata e kuptuan se beteja me qytetarët nuk fitohet me gaz, as me dhunë, nuk e fitojnë dot kurrë. Qytetarët sot i dhanë një leksion, ne do të jemi këtu të vazhdojmë mosbindjen civile deri sa synimet tona, kërkesat e qytetarëve të plotësohen.
Narkosi duhet të largohet, duhet ti hapë rrugë një qeverie teknike që ti afrojë vendit paqe sociale dhe zgjedhje të lira.
Sot startuam nga parlamenti në rrugë, për çdo hap tjetër do të ju njoftojmë. Ne do të jemi në mosbindje civile.
Të jeni të sigurtë që sot ata janë duke u dridhur, ata janë të tërbuar sepse forca e qytetarëve u ka kallur datën. Me mijëra forca policore kanë rrethuar bunkerin e Surrelit, sepse sulltani atje dridhet dhe nuk flet i qetë, siç e pat ju gjithandej. I gjithë shteti në panik, nuk ndalohet as me polici, as me gaz e as me asgjë revolta qytetare. Revolta do të vijë duke zierë.
Nuk ishte protestë, kjo ishte revoltë, ky është hapi i parë i mosbindjes civile. Do të jemi në kontakt çdo ditë e do të jemi në aksion. Falenderoj të gjithë qytetarët dhe demokratët që iu përgjigjën ftesës tonë.
Ju falenderoj edhe ju mediave që pasqyruat këtë hap të mosbindjes civile.
Fitore!’, tha Flamur Noka për mediat.
VIDEO/ As në kohë lufte nuk ndodh, protestuesit sulmojnë ambulancën, i hapin derën me dhunë
Një situatë e pazakontë që as në kohë nuk ndodh është parë gjatë protestës së opozitës.
Një ambulancë me sirena të ndezur është ndaluar nga një grup protestuesish e kanë sulmuar duke i hapur derën me dhunë.
Protestuesit e thirrur nga opozita pas arrestimit të ish-deputetit të Partisë Demokratike, Ervin Salianji janë shpërndarë në rrugë të ndryshme të kryeqytetit.
Ata u kanë vendosur flakën koshave të plehrave, stacioneve të autobusëve, gjithashtu kanë thyer xhamat e banerave anash rrugëve./Versus.al
Selia e PS kthehet në skenë krimi, ekspertët mbledhin provat pas shpërthimit të molotovëve
Selia e PS është kthyer në skenë krimi këtë të hënë.
Ekspertët kanë mbërritur për të mbloedhur provat pas shpërthimit të molotovëve nga protestuesit.
Banderola dhe një pjesë e jashtme e godinës u përfshi nga flakët pas plasjes së njëpasnjëshme të molotovëve.
Gjithashtu nga shpërthimi u rrezikua edhe jeta e gazetarëve, protestuesve dhe operatorëve.
VIDEO/ Protestuesit sulmojnë Parlamentin, zmbrapsen nga policia me gaz lotsjellës
Qytetarët kanë vazhduar protestën kundër qeverisë Rama ne godinën e Parlamentit.
Protestuesit janë mbledhur përballë Parlamentit, ndërkohë që Policia ka bërë kordon rrethues.
Ndërkohë që për tu kundërpërgjigjur policia ka hedhur dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën.
Shumë protestues janë dëmtuar nga gazi.
Protesta, tre qytetarë të plagosur dy shkojnë te QSUT, i treti tek Sanatoriumi
Tre qytetarë janë lënduar gjatë protestës së opozitës, që po zhvillohet në kryeqytet.
Sipas informacioneve të deritanishme, dy prej protestuesve të plagosur janë dërguar në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.
Ndërsa një person i tretë është dërguar te Sanatoriumi, pasi ka shfaqur probleme me frymëmarrjen nga gazi lotsjellës./Versus.al
Lëndohet nga gazi lotsjellës Klevis Balliu, 'tërhiqet' në selinë e PD-së
Ish-deputeti Klevis Balliu nuk është ndjerë mirë gjatë protestës para Bashkisë së Tiranës për shkak të gazit lotsjellës.
Burime për Versus.al bëjnë me dije se ai është tërhequr drejt selisë së Partisë Demokratike për t'u rikuperuar.
Policia e Shtetit ka reaguar pas ngjarjeve të dhunshme në protestën e sotme të opozitës , ku u sulmuan disa institucione shtetërore si dhe selia e Partisë Socialiste.
Në deklaratën e saj policia u bën thirrje protestuesve të ndalojnë sulmin dhe të vetëpërmbahen. Gjithashtu në deklaratë thuhet se janë dëmtuar 10 efektivë të policisë.
Ndërkohë dhe 3 qytetarët kanë mbetur të lënduar gjatë përplasjeve dhe hedhjeve të lëndëve piroteknike si dhe gazit lotsjellës./Versus.al
Protesta e dhunshme e opozitës, reagon Policia e Shtetit: Janë dëmtuar 10 efektivë, ndaloni sulmet
Policia e Shtetit ka reaguar pas ngjarjeve të dhunshme në protestën e sotme të opozitës, ku u sulmuan disa institucione shtetërore si dhe selia e Partisë Socialiste. Sipas deklaratës për shtyp bëhet me dije se janë dëmtuar 10 efektivë policie, ndërsa u bëjnë thirrje protestuesve për vetëpërmbajtje dhe të ndalojnë sulmin. ‘Policia ka marrë të gjitha masat për identifikimin, kapjen dhe shoqërimin e personave të përfshirë në sulme mbi Policinë dhe institucionet shtetërore.”, thuhet në komunikatë. Ndërkohë dhe 3 qytetarët kanë mbetur të lënduar gjatë përplasjeve dhe hedhjeve të lëndëve piroteknike si dhe gazit lotsjellës.
Reagimi i Policisë së Shtetit:
Shërbimet e Policisë janë të angazhuara maksimalisht për mbrojtjen e institucioneve shtetërore, pronën publike dhe private, jetën e qytetarëve dhe të vetë punonjësve të Policisë.
Që prej fillimit të tubimit një pjesë e qytetarëve në tubim sulmuan e vijojnë te sulmojnë Policinë dhe godinat e institucioneve shtetërore me molotov e lëndë plasëse.
Deri në këto momente nga sulmet e qytetarëve në tubim, me molotov, lëndë piroteknike e sende të forta ndaj Policisë, janë dëmtuar 10 punonjës Policie.
Policia e Shtetit iu bën thirrje qytetarëve pjesëmarrës në tubim, të ndalojnë sulmet me molotov e lëndë piroteknike mbi Policinë dhe institucionet shtetërore.
FOTOLAJM/ Protestuesi në flakë
Edhe një demostrues është përfshirë nga flakët e molotovëve të hedhur nga protestuesit tek bashkia e Tiranës.
Siç edhe duket në foto, qytetari ka vrapuar që ti shpëtojë flakëve.
VIDEO/ I shpërtheu molotovi në këmbë, plagoset efektivi i policisë. Dërgohet me urgjencë në spital
Një efektiv blu është plagosur nga molotivi i hedhur nga protestuestit pas shpërthimit më mes forcave të policisë para Bashkisë së Tiranës.
Menjëherë në ndihmë kanë ardhur kolegët e tjerë të cilët ndihmuan në shuarjen e zjarrit.
Gjithashtu në video shihet dhe një protestues i cili ka marrë flakë i cili ndihmohet nga të pranishmit aty.
Shpërthimi ishte shumë i fuqishëm dhe efektivi i dëmtuar është dërguar në spital për të marrë shërbimin e duhur./Versus.al
VIDEO/ Protestuesit hedhin molotov te Bashkia e Tiranës, policia i shpërndan me ujë e gaz lotsjellës
Përplasje tek bashkia e Tiranës.
Protestuesit e opozitës kanë mbërritur tek bashkia e Tiranës dhe kanë hedhur molotovë e kapsolle ndaj godinës.
Por këtë herë, policia i kishte marrë masat.
Është hedhur gazlotsjellës nga tarraca e bashkisë, si dhe policët e tjerë kanë hedhur ujë me piper.
Protestuesit janë shpërndarë duke iu larguar gazit.
FOTO+VIDEO/ Protestuesit qëllojnë me molotovë Ministrinë e Brendshme, largojnë policët të mos lëndohen
Pas revoltës tek selia e PS-së, protestuesit i janë drejtuar ministrisë së Brendshme.
Aty nuk ka pasur shumë policë në ruajtje të saj, ndërsa qytetarët kanë hedhur molotovë dhe kapsolla. Në moment disa policë janë rrezikuar nga shpërthimi i molotovëve, ndërsa kanë ndërhyrë dhe protestuesit duke i larguar.
Tek ministria e Brendshme janë mbledhur qindra qytetarë të cilët po protestojnë kundër qeverisë Rama.
FOTO+VIDEO/ Sulmohet me molotovë e flakadanë selia e PS-së, merr flakë hyrja e godinës
Ashtu edhe siç pritej, protestuesit kanë mbërritur tek selia e PS-së.
Protestuesit kanë hedhur molotovë drejt PS-së, duke i vënë flakën hyrjes së saj.
Si pasojë e shpërthimit, menjëherë nisi zjarri në godinën e PS-së, e cila në hyrje kishte imazhin e kreut të saj, Edi Rama, i cili mori flakë.
Ndërkohë, forcat e policisë kanë rrethuar godinën e selisë duke mos i lejuar protestuesit që të afrohen në godinë.
FOTO/ Zjarr jo vetëm institucioneve, protestuesit djegin stacionin e autobusit dhe kosha plehrash
Përveç molotovëve në drejtim të Kryeministrisë, protestuesit e opozitës kanë vendosur që zjarrin ta përhapin dhe në zona të tjera të kryeqytetit.
E teksa bllokuan rrugën dhe makinat që të kalonin, disa protestues i kanë vendosur zjarrin dhe një stacioni autobusi në bulevard.
Më pas ata i kanë vënë flakën edhe disa koshave të mbeturinave që ndodheshin pranë zonës së Shallvareve.
Më herët, përplasje ka pasur mes protestuesve dhe policisë përpara kryeministrisë, teksa protesta e opozitës pa një pikë qëndrimi dhe pa fjalime po zhvendoset në disa rrugë të Tiranës.
Protestuesit lënë bulevardin, i drejtohen selisë së Partisë Socialiste
Pas sulmit të parë ndaj selisë së qeverisë, ku pati edhe përplasje me policinë, hedhje të molotovovë dhe fishekzjarrëve, drejtuesit e protestës së opozitës, janë larguar nga kryeministria.
Protestuesit opozitarë kanë lënë ambientet e kryeministrisë dhe janë nisur për në bulevard drejt qendrës së Tiranës.
Por duket se ka pasur një ndryshim të iteneratirit.
Protestuesit janë nisur drejt Partise Socialiste.
VIDEO/ Deputetët e PD-së 'ndezin' përplasjet tek kryeministria, hidhen molotovë nga protestuesit, policia u përgjigjet me gaz
Ka nisur me përplasje protesta e mosbindjes civile të nisur tek kryeministria.
Protestuesit së bashku me drejtuesit e PD-së janë përplasur me policinë që ka rrethuar kryeministrinë, ndërsa ndaj selisë së qeverisë janë hedhur edhe molotovë.
Nga ana e saj policia ka lëshuar gaz lotësjellës ndaj protestuesve, por këta të fundit nuk janë ndalur, por kanë vazhduar të hedhin sende drejt kryeministrisë.
Nis protesta e opozitës, drejtuesit e PD dhe Meta nisen drejt kryeministrisë
Pasi janë mbledhur për më shumë se 30 minuta në selinë blu, drejtuesit e PD-së, Flamur Noka, Gazment Bardhi dhe deputetë demokratë kanë dalë nga selia që ti bashkohen qytetarëve tek kryeministria.
Të shoqëruar dhe nga qytetarët protestues, drejtuesit demokratë do ti bashkohen protestës së thirrur, ndërsa pritet që kjo të ketë një organizim ndryshe nga protestat e tjera.
Nderkohe edhe presidenti i Partise se Lirise, Ilir Meta eshte nisur drejt kryeministrise ku do ti bashkohet grupit te drejtuesve demokrate.
Pritet që të ketë 4 grupe kryesore protestueshin që do të drejtohen nga një person, me qëllim që të shpërndahen nëpër Tiranë.
VIDEOLAJM/ Ikin forcat e rendit, forcat speciale, me skafandra e kokore në mbrojtje të kryeministrisë
Në ndryshim nga herët e tjera, ata janë me veshje të posaçme me kokore dhe skafandër.
Në kordon janë edhe punonjëse gra. Protesta e opozitës pritet të nisë në orën 18:00.
Ishte dënimi me 1 vit burg i Ervin Salianjit që nxiti opozitën për nisjen e një vale protestash dhe bojkoti në komisione e Kuvend.
Dy seancat e fundit në Kuvend u shoqëruan me tensione dhe përplasje të forta. Pasi kryeparlamentarja Elisa Spiropali njoftoi heqjen e mandatit të Salianjit, deputetët e opozitës bllokuan foltoren, e shkatërruan atë dhe hodhën sende në drejtim të saj.
Më pas ata morën karriget e tyre dhe i dogjën jashtë Kuvendit, ndërsa pati edhe debate deri në konfrontim fizik.
Opozita gjithashtu ka vendosur të bojkotojë të gjitha komisionet.
Gjykata e Lartë ka caktuar datën 15 tetor, ora 14:00, për shqyrtimin e kërkesës së ish-deputetit Ervin Salianji, për pezullim të ekzekutimit të dënimit me burg./ Versus.al
VIDEO/ ‘Protesta pa skenar’ detyron policinë të marrë në mbrojtje të gjithë institucionet përgjatë bulevardit
Protesta ‘pa skenar’ e opozitës ka vënë në lëvizje forcat e sigurisë në vend duke marrë në mbrojtje të gjithë institucionet qendrore përgjatë ‘Dëshmorët e Kombit”. Sipas pamjeve që sjell Versus.al shihen dhjetëra forca policie që kanë rrethuar Bashkinë e Tiranës, pasi është paralajmëruar që protestuesit, pas Kryeministrisë do t'i drejtohen dhe këtij institucioni çka ka shtuar frikën për akte të dhunshme. Gjithashtu ‘nën mbrojtje’ është marrë dhe Ministria e Brendshme dhe selia e Kuvendit dhe Kryesisë së Kuvendit./ Versus.al
VIDEOLAJM/ Protestuesit vijnë nga të gjitha 'anët', u drejtohen Kryeministrisë
Protestuesit e thirrur nga opozita në tubimin e sotëm kanë filluar të mblidhen në sheshin Skëndërbej për t'u nisur drejt Kryeministrisë.
Më pas ato do të drejtohen drejt institucioneve të tjera si Bashki, Kuvend, Ministri e Brendshme.
Kryeministria është blinduar për të shmangur çdo incident që mund të krijohet nga protestuesit, ndërkohë që zona është e rrethuar me kamera me rezolucion të lartë./Versus.al
VIDEO/ Nis mosbindja civile, digjet një gomë makine te Presidenca
Kanë nisur edhe aktet e para të mosbindjes civile, protestës së thirrur nga opozita.
Siç edhe duket nga pamjet një gome makine i është vënë flaka në trotuarin para Presidencës.
Për të shuar flakën kanë ndërhyrë forcat e policisë./ Versus.al
Meta i bashkohet protestës, Dule e Ndoka shkojnë në selinë e PD-së
Ndërsa ka nisur edhe protesta e mosbindjes civile të opozitës, sipas orarit zyrtar nis në orën 18:00, Partia e Lirisë me Ilir Metën ka vendosur që ti bashkohet protestës.
Siç edhe mësohet, Meta do të niset nga partia e tij për të ju bashkuar protestës.
Ndërsa, Vangjel Dule i partisë PBDNJ dhe Nard Ndoka i Partisë Demokristiane i janë bashkuar protestës së thirrur nga Partia demokratike.
Dule e Ndoka shihen ndërsa futen në selinë e PD para se të nisen drejt kryeministrisë.
VIDEO/ Protesta e opozitës, policia rrethon kryeministrinë
Sot, PD dhe opozita do të mbajnë protestë në bulevardin përpara kryeministrisë duke filluar nga ora 18:00.
Garda e Republikës ndërkohë do të vendosë staf sigurie brenda ambienteve prej orës 16:00 si në Kryesi ashtu edhe tek Parlamenti, salla plenare për gjithçka që të mundshme.
Ndihmë i është kërkuar edhe policisë dhe zjarrfikësit për të pasur mjete ndihmëse në ambientet e brendshme të godinave. Përveç perimetrit të jashtëm të cilin e garanton policia.
Tubimi i opozitës/ Salianji mesazh nga burgu për protestuesit: Populli shkund çdo tirani!
Ish-deputeti Ervin Salianji me anë të një letër shkruar nga burgu u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që t'i bashkohen protestës së sotme, 7 tetor, të opozitës.
Ai shprehet se qendresa është shkatërrimi i qeverisë dhe se të humbësh lirinë në betejë për të fituar demokracinë e qeverisje të mirë për njerëzit, është vlera më e lartë.
“Mesazh i shkruar nga burgu, Ervin Salianji i drejohet qytetarëve përpara protestës së thirrur nga opozita
Në këto orë, ata po korrin frikën që mbollën vetë!
E dimë që menduan se do na frikësonin, e sot më shumë na forcuan. Qëndresa jonë është shpërbërja e tyre! Ne e dimë që shumë nga ne sakrifikojnë e rezistojnë sepse na takon ne së pari të jemi muri që ndal të keqen. Na takon ne dhe vetëm ne të jëmi forca e shembullit.
Miq,
Të humbësh lirinë për të fituar forcën e goditjes ndaj padrejtësisë, është zgjedhje e ndërgjegjies. Të humbësh lirinë në betejë për të fituar demokracinë e qeverisje të mirë për njerëzit, është vlera më e lartë.
Të humbësh lirinë duke fituar besimin në sakrificë është forma më ë lartë e fisnikërisë civile. Të fitosh lirinë duke protestuar me besimin që shqiptarët meritojnë një tjetër zgjidhje, është rruga!
Reago, mos humb veten, as dinjitetin, as të drejtat!
Reago, sepse forca dhe e drejta janë me ty!
Reago! Reago për pagën e degraduar; për fitimin e munguar; për pronën e pafituar, për jetën e shtrenjtuar, për fjalën e cunguar, për shpresën e mpirë, për një Shqipëri më të mirë.
Populli shkund çdo tirani!
#Protesto#7Tetorora18:00″, shkruan Salianji./Versus.al
Sot PD nis mosbindjen civile me protestë kombëtare, Tirana ‘e paralizuar’ me dhjetëra rrugë të bllokuara! 1500 policë dhe Garda në gatishmëri







