POLITIKË /

Dumani takon ministrin e ri të Drejtësisë, Bardhi: SPAK nuk mund të jetë mekanizëm propagande i qeverisë

Shkruar nga Versus
Dumani takon ministrin e ri të Drejtësisë, Bardhi: SPAK nuk mund
Altin Dumani, Besfort Lamallari dhe Gazment Bardhi

Pavarësisht se më herët ka shprehur mbështetjen e tij për SPAK dhe për kreun e saj Altin Dumanin, së fundmi kreu i grupit parlamentar Gazment Bardhi ka patur kritika të shumta lidhur me një vizitë të Dumanit në zyrën e ministrit të ri të Drejtësisë, Besfort Lamallari.

Teksa Lamallari shkruan në postimin e bërë se e kishte njohur Dumanin me prioritetet e ministrisë së Drejtësisë në programin qeverisës të qeverisë Rama 4, Bardhi shkruan se SPAK nuk duhet të shndërrohet në mekanizëm propagande i qeverisë. Më tej argumenton se SPAK nuk ka asnjë lidhje me prioritetet e qeverisë të Ramës të cilën e cilësoi si ‘të korruptuar’.

'’Marrëdhënia e Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme SPAK me segmente të Ekzekutivit, përfshirë Ministrin e Drejtësisë, duhet të udhëhiqet vetëm nga ligji. Marrëdhënie të tilla institucionale nuk duhet të ndodhin për nevoja propagande të Ekzekutivit, sepse SPAK nuk mund të jetë mekanizëm propagande i Qeverisë, por institucioni kyç që lufton korrupsionin qeveritar dhe krimin e organizuar.

Askund, por askund nuk parashikohet se me drejtuesin e SPAK ndahen prioritetet e Qeverisë dhe aq më pak që ky i fundit dëgjon prioritetet e programit të Qeverisë. Ç'lidhje ka SPAK me prioritetet e Qeverisë së korruptuar të Edi Ramës, kur në fakt prioritet i saj duhet të jetë lufta ndaj korrupsionit qeveritar?

SPAK nuk është institucion nën varësinë e ekzekutivit dhe nuk duhet të sillet në publik si i tillë, sepse pavarësia e sistemit gjyqësor duhet edhe të duket që ekziston. Kjo pozë në zyrën e Ministrit të Drejtësisë dhe njoftimi i Ministrit të Drejtësisë që ka ndarë prioritetet e programit qeverisës, është një akt propagande i pandodhur kurrë më parë’’- shkroi Bardhi. Versus.al

Poll