
Kryeministria ka depozituar mesditën e sotme në Gjykatën Kushtetuese një kërkesë zyrtare ku kërkohet shfuqizimi i vendimit të GJKKO për pezullimin nga detyra të zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
Kjo kërkesë u bë menjëherë pas vendimit të GJKKO-së për vendosjen e masës ndaluese ndaj Ballukut, vendim që kryeministria e konsideron konflikt kompetencash.
Në kërkesë Kryeministria shkruan se “është krijuar një konflikt kompetencash midis Kryeministrit dhe Këshillit të Ministrave, nga njëra anë, dhe Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, nga ana tjetër, lidhur me të drejtën për pezullimin e një anëtari të kabinetit qeveritar.”
Në kërkesë qeveria i kërkon Gjykatës Kushtetuese:
“Shfuqizimin e vendimit nr.118, datë 19.11.2025, të GJKKO-së, për pjesën që vendos masën ndaluese ndaj Belinda Ballukut;
Pezullimin e menjëhershëm të këtij vendimi, deri në përfundimin e shqyrtimit nga Gjykata Kushtetuese;
Interpretimin e nenit 103, pika 3, të Kushtetutës, që lidhet me procedurat dhe autoritetin për pezullimin e anëtarëve të qeverisë.”

