POLITIKË /

“Të akuzosh është kollaj, të provosh e vështirë”, Rama reagon sërish për arrestimin e Veliajt

Shkruar nga Versus

“Të akuzosh është kollaj, të provosh e

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish lidhur me arrestimin e Erion Veliajt, këtë herë nga rrjeti social “X” ku nëpërmjet një shkrimi të gjatë shkruan se në rast se SPAK e GJKKO dështojnë të jenë të pavarura, ky do ishte dështim i gjithë qeverisë.

Ai tha se kushdo që bën korrupsion duhet të frikësohet nga drejtësia, ndërsa kushdo që bën punën që i takon s’duhet të trembet nga gabimet që mund të bëjë gjatë rrugës. Ndërsa shtoi se askush nuk duhet ta trajtojë si fajtor atë që bën punën dhe as t’i sekuestrojë celularin.

Postimi i kreut të qeverisë në rrjetin social përmban kritika të përsëritura mbi metodat e hetimit të përdorura nga prokurorët, por mes të tjerash thekson se mbështetja ndaj SPAK e GJKKO do të vijojë e palëkundur përkundër pretendimeve. 

Reagimi i plotë i kryeministrit:

Që të jemi të qartë fare:

Nëse SPAKU dhe GJKKO dështojnë të jenë të pavarur, duke garantuar njëkohësisht standartet demokratike, ky nuk do të ishte thjesht dështimi ynë, i Partisë Socialiste dhe i imi personalisht, që i kemi hyrë këtij deti në këmbë me gatishmërinë që të marrim edhe të gjitha kostot morale e politike, bashkë me baltën e kënetës politiko-mediatike. Ky do të ishte dështimi i madh i Shqipërisë, i cili do t’u jepte “të drejtë” të gjithë atyre që qysh prej 1912 e deri kur ne, Partia Socialiste, nisëm Reformën në Drejtësi, nuk i hynë kurrë, asnjëherë, këtij deti në këmbë dhe nuk i dhanë kurrë pavarësi drejtësisë.

Këto institucione të reja janë gurë themeli për një kthesë shumë të fortë historike dhe tanimë që pavarësia e tyre është 100% e provuar - vetëm idiotët noterikë të Shvejkut dhe ligësirat me dy këmbë të kënetës opozitare mund të thonë akoma që i kontrollojmë ne - është detyra jonë të mos lejojmë që shkelja e standarteve dhe abuzimet individuale brenda tyre me pavarësinë, t’i marrin si lumi këta gurë themeltarë, duke e abortuar misionin historik të luftës kundër korrupsionit nga një drejtësi e drejtë.

Po ashtu, është detyra jonë, që t’i çojmë në esfelt më 11 maj ata që duan të shkrijnë SPAK-un dhe të hedhin në lumë foshnjën bashkë me ujin e pistë. Ne do të vazhdojmë t’i mbështesim pa asnjë lëkundje SPAKUN dhe GJKKO, por do të përdorim dritën e diellit për të ndarë edhe me publikun të gjitha problematikat shqetësuese apo çdo rast kur dikush në SPAK apo GJKKO, shpërdoron detyrën dhe besimin e popullit, duke na kthyer në kohët e zeza të metodave të Sigurimit të Shtetit e të dënimeve pa gjyqe apo me brohoritje kanalesh, portalesh e socialesh.

Kush ka bërë e bën korrupsion duhet të dridhet nga drejtësia, kush bën punën e tij nuk duhet të trembet nga gabimet në punë dhe askush s’duhet të guxojë ta trajtojë si fajtor, t’i bëjë presion, t’i marrë peng celularin e kështu me radhë apo ta marrë peng edhe atë vetë duke i vënë në kokë kapuçin me mbishkrimin magjik “shpërdorim detyre”.

Të akuzosh është kollaj, të provosh është vështirë, prandaj edhe prokurorët e gjykatësit specialë paguhen sa askush në këtë republikë dhe institucionet e tyre mbështeten si asnjë nga kjo qeveri. Që të provojnë, jo që thjesht të akuzojnë dhe ta kthejnë burgun pa gjyq në një rrugë normale, duke thyer rëndom kornizën e ligjit e duke u sjellë me shoqërinë si republikë më vete.

SPAKU na ka treguar se i ka forcat që dinë ta hetojnë e ta ekspozojnë korrupsionin dhe ne do të jemi gjithnjë mbështetës pikërisht për këtë, por historia na ka treguar se rreziku që në emër të antikorrupsionit të goditet jo korrupsioni, po demokracia, shteti, ekonomia, nuk duhet neglizhuar kurrë. Dhe ne nuk do ta neglizhojmë. Kaq di unë. Të tjerat i di këneta politiko-mediatike dhe ju duhet vetëm të zgjidhni, o me drejtësinë dhe demokracinë o me kënetën dhe pa drejtësinë.

Më herë, Rama gjatë mbledhjes së zhvilluar me grupin parlamentar të PS, nuk ngurroi të ishte i drejtëpërdrejtë ndaj prokurorëve duke i akuzuar disa prej tyre për intimidimin e dëshmitarëve të pyetur për hetimin ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj. Versus.al

Poll