AKTUALITET /

Nga 'shtetësia' te administrimi i territorit, Baba Mondi zbulon si do funksionojë shteti ‘Urdhri Bektashit’ brenda Tiranës: ‘Imitim’ i Vatikanit

Shkruar nga Versus

Nga 'shtetësia' te administrimi i territorit, Baba Mondi zbulon

Një artikull i New York Times për një shtet sovran të Urdhrit Bektashi brenda Shqipërisë, ngjalli reagime të shumta duke e parë këtë si një lëvizje të papritur.

Në një model si ai i Vatikanit, duke i lejuar urdhrit Bektashi të qeverisë punët e veta në mënyrë të pavarur është propozuar së fundmi për të promovuar tolerancën e islamit tek shqiptarët.

Teksa dha një intervistë për Report Tv ku sqaroi këtë lajm befasues, Kryegjyshi i Kryegjyshatës Botërore Bektashiane, Haxhi Dede Edmond Brahimaj i njohur si “Baba Mondi” dha detaje sesi pritet të funksionojë si shtet Urdhri Bektashi duke nisur nga marrja e shtetësisë e tek procedurat administrative të funksionimit.

Ai sqaroi se asnjë qytetar shqiptar nuk mund të marrë shtetësinë e Urdhrit Bektashi përveçse anëtarët e klerit dhe personat e përfshirë në administrimin e shtetit, në mënyrë të ngjashme me shtetësinë e Vatikanit.

“Shtetësia në Shtetin Sovran të Urdhrit Bektashi do të kufizohet tek anëtarët e klerit dhe ata që janë të përfshirë drejtpërdrejt në administrimin e shtetit, ngjashëm me mënyrën se si është strukturuar shtetësia në Vatikan. Kjo sepse fokusi ynë është te qeverisja shpirtërore, jo te krijimi i një popullsie të madhe, të përcaktuar politikisht.

Shteti ynë i ri është kryesisht një ent shpirtëror dhe qëllimi është të ruajë aftësinë e Urdhrit Bektashi për të funksionuar në mënyrë të pavarur në çështjet e tij fetare dhe administrative. Thënë kështu, ndërsa shtetësia e përgjithshme nuk do të shtrihet për të gjithë ndjekësit, sovraniteti do të sigurojë një bazë të sigurt për komunitetin bektashi në mbarë botën që të vazhdojë praktikat e tyre fetare pa ndërhyrje. Urdhri do të shërbejë si një shtëpi shpirtërore për besimtarët Bektashinë anembanë globit, duke u ofruar atyre një vend strehimi dhe përfaqësimi, edhe nëse ata nuk janë qytetarë zyrtarë”- tha Baba Mondi.

Ai e cilësoi si të domososhëm një vendim të tillë duke përmendur edhe nevojën për t’ju kundërvënë ideologjive radikale që po janë në rritje jo vetëm në islam por në të gjitha komunitetet fetare.

“Urdhri Bektashi ka qëndruar gjithmonë si një zë moderimi brenda Islamit. Me sovranitetin tonë të njohur, ne jemi në një pozicion më të fortë për t'iu kundërvënë ideologjive radikale që kanë pllakosur, jo vetëm botën myslimane, por komunitetet globale në përgjithësi. Ne do të angazhohemi aktivisht në bashkëpunimin ndërfetar, do të zgjerojmë programet arsimore dhe do të nxisim shkëmbimet kulturore që promovojnë tolerancën dhe bashkëjetesën paqësore.

Ekstremizmi lulëzon në ndarje dhe duke fuqizuar zëra të moderuar si i yni, ne mund të krijojmë një kundër-narrativë të fuqishme. Ne planifikojmë të bashkëpunojmë ngushtë me partnerë ndërkombëtarë, duke përfshirë vende të tilla si Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian dhe vende në të gjithë Lindjen e Mesme, të cilët kanë shprehur mbështetje të fortë për këtë nismë. Duke u fokusuar në edukimin, dialogun dhe promovimin e lirisë fetare, Shteti Sovran i Urdhrit Bektashi do të kontribuojë në përpjekjet globale për të luftuar radikalizmin dhe ekstremizmin”- shtoi Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve.

Ai pati edhe një mesazh për “skeptikët” e krijimit të shtetit të ri brenda Shqipërisë, duke thënë se bëhet fjalë për një nismë shpërtërore dhe se nuk ka asnjë synim zgjerimi territorial apo pushteti politik.

"Për ata që janë skeptikë, do t'u thosha këtë: sovraniteti ynë ka të bëjë me ruajtjen dhe promovimin e vlerave të paqes dhe lirisë fetare. Ne nuk jemi të interesuar për pushtet politik apo zgjerim territorial. Kjo nismë është tërësisht shpirtërore. Statusi ynë i ri sovran siguron që zëri i moderuar dhe i dialogut të Urdhrit Bektashi të lulëzojë, pa presione të jashtme politike.

Ne jetojmë në një botë që polarizohet gjithnjë e më shumë dhe tani, më shumë se kurrë, kemi nevojë për zëra që mbështesin tolerancën dhe bashkëjetesën. Shteti Sovran i Urdhrit Bektashi do të jetë një fener i këtyre vlerave dhe ftoj skeptikët ta shohin këtë si një mundësi për të gjitha kombet dhe besimet që të bashkohen në emër të paqes."

Në një mënyrë, bëhet fjalë për një territor sa pesë blloqe të Nju Jorkut konkretisht mes Tiranës dhe Krujës që do të vetëqeveriset nga Urdhri Bektashi dhe do të ketë shtetësi të caktuar për punonjësit dhe klerikët. Në rast të miratimit të krijimit të një shtetit të tillë, Urdhri Bektashi do të bëhej shteti më i vogël në botë me një sipërfaqe prej 10 hektarësh. Versus.al

Poll