Nga sot, 1 janar 2025, përdorimi i të gjithë transportit publik në Beograd është falas, masë kjo e paralajmëruar nga kryetari i kryeqytetit serb, Aleksandar Sapic, ndërsa vendi vazhdon të jetojë nën hijen e tragjedisë vdekjeprurëse në Novi Sad, ku më 1 nëntor humbën jetën 15 persona nga shembja e çatisë së një stacioni hekurudhor.
Me futjen e masës sw re në kryeqytetin serb, Beogradi bëhet i vetmi qytet evropian me një popullsi mbi një milion banorë ku transporti publik do të jetë falas.
Qytete të ndryshme evropiane si Talini, Montpellier apo edhe Luksemburgu kanë miratuar masa të ngjashme, por asnjëra prej tyre nuk ka të bëjë me një popullsi prej më shumë se një milion banorësh. Beogradi ka një popullsi prej gati 1.7 milionë banorësh dhe përdorimi i shpeshtë i makinës rezulton në bllokime të mëdha trafiku çdo ditë.
E gjithë flota e autobusëve, tramvajeve dhe trolejbusëve do të rinovohet deri në vitin 2027, njoftoi kryebashkiaku në fillim të këtij muaji, duke premtuar se "në fund të vitit 2025 asnjë autobus në Beograd nuk do të jetë më shumë se dy vjeçar".
Masa mund të ndihmojë në uljen e ndotjes në Beograd, i cili shpesh renditet ndër 10 qytetet më të ndotura në botë, sipas të dhënave nga kompania zvicerane IQ Air, e cila mat ndotjen e ajrit në mbarë botën.
Mes festimeve të Vitit të Ri, mijëra studentë dolën në rrugë për të demonstruar të martën mbrëma në disa qytete të Serbisë, duke kërkuar llogari për aksidentin në Novi Sad, i cili ndodhi pas punimeve të rinovimit në stacionin hekurudhor. Tubimet e protestave pothuajse të përditshme kanë ndjekur njëra-tjetrën në shkallë kombëtare, pasi shumë në Serbi ia atribuojnë fatkeqësinë korrupsionit dhe kontrollit të pamjaftueshëm të projekteve të ndërtimit.
Ish-ministri serb i transportit Goran Vesic dhe 12 persona të tjerë dje ju komunikua akuza në këtë rast.







