Gjykata e Durrësit ka lënë nën masën e sigurisë “arrest me burg” dy të rinjtë e arrestuar për vrasjen e Valbon Beqirit i cili u gjet i vrarë me thikë pasditen e së martës në lagjen nr.12.
Autori Teilor Tivari, 24 vjeç ka shprehur pendesë për ngjarjen, ndërsa i ka mbetur të njëjtit version të mëparshëm duke thënë se viktima kishte tentuar ta përdhunonte dhe se akti i tij kishte qenë në tentativë vetëmbrojtje.
Ndërsa shoku i tij, 27 vjeçari Xhenis Dakoli gjithashtu u la nën masën e sigurisë “arrest me burg” si bashkëpunëtor i Tivarit pas ngjarjes së rëndë. Ai ka pretenduar se i riu e kishte telefonuar duke iu shprehur se kishte patur një konflikt. Duke qenë se ishin shokë fëmijërie, 27 vjeçari kishte mbërritur në vendngjarje për t’i ardhur në ndihmë dhe e ka larguar me taksinë e tij. Avokati i 27 vjeçarit pretendon se klienti i tij nuk ka patur asnjë lloj dijenie mbi krimin që kishte kryer Tivari.
Hetimet
Policia ka disa pista hetimore. Një prej tyre është mundësia që autori te ketë shkuar në shtëpinë e viktimës për të blerë drogë dhe pas konfliktit për motive banale situata ka degraduar. Një tjetër pistë hetimore është që mes viktimës dhe autorit të ketë patur një lidhje intime dhe për këtë shkak të ketë ndodhur ngjarja e rëndë. Autori ka përdorur thikën e bukës për të goditur disa herë viktimën i cili u gjet poshtë tavolinës vetëm me bokse. Ishte nipi i tij ai që njoftoi policinë. Versus.al







