AKTUALITET /

27 vjet nga eksodi i shqiptarëve të Kosovës, Kukësi hapi dyert e shpresës

Shkruar nga Versus

27 vjet nga eksodi i shqiptarëve të Kosovës, Kukësi hapi

Si sot 27 vjet më parë, rreth 1 milionë shqiptarë u detyruan nga forcat paraushtarake serbe të shpërnguleshin në Shqipëri dhe Maqedoni.

Tmerret e luftës në 1998-1999, detyruan mijëra të tjerë të kalonin kufirin në Malin e Zi, ndërsa nuk ishin të paktë dhe shqiptarët që morën arratinë për të gjetur strehim në malet e Kosovës.

Ata ishin gra, fëmijë, të moshuar, të dhunuar, të torturuar dhe të masakruar, kujtojnë mediat në Prishtinë. Në çdo përvjetor të eksodit të vitit 1999, që mori përmasa biblike, drama e përjetuar asokohe rikujtohet me ceremoni simbolike.

Eksodi i detyruar arriti kulmin pas fillimit të bombardimeve të NATO-s kundër pikave ushtarake dhe policore të ish-Jugosllavisë. Në datën 27 mars të 1999-tës, në pikëkalimin doganor të Vërmicës/Morinës kaluan në Kukës 187 refugjatët e parë nga Kosova, pjesa dërrmuese gra e fëmijë.

Ata ishin në gjendje të rënduar fizike dhe mendore, të goditur e lënduar me mjete të forta si: qyta pushke, shkopinj gome etj. U morën masa të menjëhershme për transportimin e tyre me mjete të transportit civil dhe ushtrisë nga Drejtuesit e Prefekturës së Kukësit.

Të shpërngulurit ishin kryesisht banorë të fshatrave të Prizrenit, Krushë e Madhe dhe Zym. Si fillim këto refugjatë u strehuan në pallatin e kulturës “Hasan Prishtina”.

Një ditë më pas, do të niste fluksi masiv i shqiptarëve të Kosovës drejt Kukësit. Mesatarisht çdo familje në qytetin e Kukësit kishte rreth 14 persona të strehuar. Ata flinin në çdo pjesë të shtëpisë.

Në krye të javës në Kukës mbërriti karvani i dytë i të dëbuarve me rreth 70.000 kosovarë. Nga këto 40.000 u sistemuan pranë familjeve qytetare, 10.000 në mjedise të ndryshme publike të qytetit, 6.000 në komunat Bicaj, Kolsh, Tërthore dhe Shtiqën, 12.000 në qytetin e Krumës dhe 300 në komunën Golaj. Në Kukës mbërritën 16 automjete për të evakuuar një pjesë të kosovarëve në qytete te tjera. Dita-ditës numri i të dëbuarve rritej. Pavarësisht strehimit në shtëpitë e banorëve kuksianë, një numër i madh i shqiptarëve të Kosovës strehoheshin në kampe.

16 prilli është data kur në Kukës shënohet Dita e Eksodit, si shenjë falënderimi dhe respekti për të gjithë ata që hapen dyert e veta për të pritur vëllezërit e tyre shqiptarë nga Kosova.

Një nga simbolet kryesore të kësaj dite është pikërisht Obelisku, kulla e ndërtuar si shenjë falënderimi ndaj popullit shqiptar dhe e ngritur  në vendin ku ishin vendosur çadrat qe strehonin popullatën shqiptare të Kosovës. Versus.al

Poll