AKTUALITET /

Alarmi pas vrasjes së gjyqtarit, kreu i Gardës kryen inspektime sigurie në SPAK e GJKKO

Inspektimi ka ardhur 1 ditë pas mbledhjes së prokurorëve e gjyqtarëve për adresimin e shqetësimeve mbi sigurinë.

Shkruar nga Versus
Alarmi pas vrasjes së gjyqtarit, kreu i Gardës kryen inspektime
Fotomontazh: Kreu i Gardës Simon Zereci dhe kreu i GJKKO, Erjon Bani, gjyqtari i vrarë Astrit Kalaja

Komandanti i Gardës së Republikës, Simon Zereci ka zbarkuar sot në Prokurorinë e Posaçme (SPAK) dhe Gjykatën e Posaçme (GJKKO) një ditë pas mbledhjes që gjyqtarët e prokurorët e vendit mbajtën sa i takon ngjarjes së rëndë të ndodhur më 6 tetor kur gjyqtari Astrit Kalaja u vra me armë zjarri brenda sallës së gjyqit.



Në pamjet e siguruara shihet momenti kur Zereci bisedon me kreun e GJKKO, Erjon Bani i cili një ditë më parë kishte bërë thirrje për inspektime në të gjitha ambientet e gjykatave. Bani deklaroi dje në mbledhjen e gjyqtarëve se duhen evidentuar të gjitha problematikat duke pyetur edhe gjyqtarët apo stafin e gjykatave për të gjitha shqetësimet që hasin gjatë kryerjes së detyrave të tyre.

Vrasja e Kalasë pas vendimit të tij për një pronë, ka shkaktuar pasiguri të madhe tek magjistratët të cilët shprehen se ndihen të pambrojtur në sallat e gjyqeve duke qenë se as policia nuk është e pranishme. Ditën e djeshme, gjykata la në burg autorin Elvis Shkambi, 30 vjeç, xhaxhain e tij Gjon Shkambi si dhe rojen e sigurisë, 63 vjeçarin Banush Koxha i cili dyshohet për "shpërdorim detyre" pasi nuk veproi në momentin që skaneri kishte sinjalizuar për pistoletën e vrasësit. Versus.al

Poll