AKTUALITET /

Vr*sja e Astrit Kalasë, 260 gjyqtarë në mbledhje! Sadushi: E nxitur edhe nga politikanët e lartë, KLGJ ka dështuar

Kreu i Gjykatës së Lartë Sokol Sadushi pranoi gjithashtu se sistemi i drejtësisë nuk është në nivelin që e kërkojnë qytetarët.

Shkruar nga Versus
Vr*sja e Astrit Kalasë, 260 gjyqtarë në mbledhje! Sadushi: E
Kreu i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi dhe kreu i Gjykatës së Posaçme, Erjon Bani

Vrasja e gjyqtarit të Apelit, Astrit Kalaja në sallën e gjyqit, pasditen e së hënës, ka shkaktuar një tronditje të thellë jo vetëm në opinionin publik, por edhe në të gjitha institucionet e pushtetit gjyqësor.

Sot 260 gjyqtarë të Republikës së Shqipërisë u mblodhën në një mbledhje urgjente për të diskutuar mbi çështjen e sigurisë. Mbledhja e jashtëzakonshme në polin e Drejtësisë nisi me një minutë heshtje për Astrit Kalanë. Pavarësisht se mbledhja u zhvillua me dyer të mbyllura, u mësua se të gjithë folësit ngritën zërin sa u takon kushteve të sigurisë, duke kërkuar që shteti të garantojë siguri më të madhe për ta.

Kreu i gjykatës së Lartë, Sokol Sadshi u shpreh se vrasja e kolegut të tyre ishte e paralajmëruar si pasojë e denigrimit të vazhdueshëm të figurës së gjyqtarëve në publik nga ana e politikanëve dhe qeveritarëve.

“Kjo është një vdekje e paralajmëruar. Prej vitesh, gjyqtarët janë bërë shënjestër e fyerjeve, kërcënimeve dhe denigrimeve. Në vend që të mbrohej pavarësia e gjyqësorit, është goditur autoriteti i tij. Në vend që të ndërtohej respekti ndaj drejtësisë, është nxitur përbuzja ndaj saj. Në këtë kakofoni zërash, politikanë të lartë të vendit, të pushtetit apo të opozitës, ndjejnë sot lehtësi për të fyer, anatemuar apo tallur gjyqtarin që merr një vendim, ndoshta edhe pa e lexuar arsyetimin, pa pritur ankimin dhe pa respektuar hierarkinë gjyqësore. Në vend që të respektojnë procesin ligjor, ata nguten të vendosin vetë “drejtësinë” në mikrofon e kamera, duke gjykuar magjistratin si të ishte palë politike”, tha Sadushi.

Më tej ai u shpreh se sistemi i drejtësisë nuk është në nivelin që e kërkon populli, por shtoi se Këshilli i Lartë Gjyqësor kishte dështuar në rolin e tij për t’u përballur me sfidat që kanë gjyqtarët.  

“Duhet ta pranojmë me ndershmëri se drejtësia shqiptare nuk është ende në lartësinë që shoqëria pret prej saj. Duhet ta themi hapur: vonesat në gjykimin e çështjeve, zvarritjet e panevojshme procedurale dhe mosrespektimi i afateve ligjore për arsyetimin e vendimeve janë plagë të dukshme që dëmtojnë besimin e publikut. Ka raste ku proceset zvarriten për vite të tëra, pa një arsye të justifikuar, duke e kthyer pritjen e qytetarit për drejtësi në një dënim më vete.  KLGJ duhet të tregojë me dinjitet pozicionin e lartë që i është dhënë nga Kushtetuta, për t’u përballur dhe jo për të vegjetuar, për t’u ndeshur dhe jo për t’u konformuar. Këshilli nuk mund të jetë një organ që përshtatet me rrethanat; ai duhet të jetë një organ që i ndryshon ato”, tha ai. Versus.al

Poll