
Avokati i ish-presidentit Ilir Meta, Kujtim Cakrani, ka reaguar për mediat pas daljes nga ambientet e Prokurorisë së Posaçme (SPAK), ku klientit të tij iu komunikua zyrtarisht aktakuza në lidhje me çështjet CEZ-DIA dhe lobimin e ish-LSI-së.
Cakrani deklaroi se akti i njoftimit të akuzës nuk solli asnjë të re thelbësore, ndërsa theksoi se prokuroria ende nuk ka dhënë përgjigje për kërkesën kryesore të mbrojtjes: identifikimin e personit apo entitetit që ka kryer pagesat për lobimin në emër të LSI-së.
“Nuk ka asnjë gjë të re për çështjen CEZ-DIA apo për lobimin. Zoti Meta ka dhënë shpjegimet e tij dhe ka kërkuar nga prokuroria hetime të thelluara për të zbuluar kush ka kryer pagesat. Ata s’kanë asnjë informacion për këtë,” deklaroi Cakrani.
Avokati u shpreh se nga ana e mbrojtjes është ngritur vazhdimisht shqetësimi për mungesën e provave konkrete që të lidhin Metën me akuzat për pastrim parash apo korrupsion.
“Akuzat janë thuajse të rrënuara. Çështja CEZ-DIA ka prej vitesh që hetohet dhe tani është përmbledhur në vetëm 30 faqe. Ndërkohë që ne kemi 116 fashikuj, afro 60 mijë faqe dokumente dhe prova që tregojnë se zoti Meta nuk ka asnjë pasuri të paligjshme, asnjë gjurmë korrupsioni,” shtoi ai.
Sipas Cakranit, pjesa më e madhe e verifikimeve janë bërë në banka dhe institucione financiare të vendeve të Bashkimit Evropian, dhe rezultatet kanë qenë të pastra.
“Meta ka zero korrupsion dhe zero pasuri të vendosur nga korrupsioni,” theksoi ai.
Avokati gjithashtu konfirmoi se çështja do të ndiqet në rrugë gjyqësore normale dhe se e gjithë seanca e sotme ka qenë e qetë, pavarësisht natyrës së akuzave.
“Nga ana ligjore ne do të ndjekim çdo procedurë të rregullt. Por kjo çështje nuk mund të ndahet nga aspekti politik – është e qartë që kemi të bëjmë me një proces të ngarkuar politikisht,” përfundoi Cakrani.







