AKTUALITET /

Barna të skaduara për pacientët me kancer, tjetër skandal në QSUT! Gazetari: Farmacia qendrore ka rrezikuar qytetarët

Shkruar nga Versus

Barna të skaduara për pacientët me kancer, tjetër skandal

Një tjetër skandal ka tronditur së fundmi sistemin e shëndetësisë në vend. Gazetari Osman Stafa ka raportuar se Kontrolli i Lartë i Shtetit ka zbuluar se farmacia qendrore e Qendrës Spitalore Nënë Tereza ka mbajtur në gjendje barna të skaduara.

Në denoncimin e bërë, gazetari përmend edhe ilaçet e skaduara të cilat sipas tij mbaheshin në stok aktiv duke rrezikuar jetën e pacientëve të sëmurë me kancer. Ende nuk dihet nëse barnat e skaduara janë përdorur mbi pacientët, ndërsa gazetari teksa citon raportin e KLSH e quan këtë ngjarje si dështim dhe manipulim nga ana e farmacisë qendrore.

Denoncimi i gazetarit Osman Stafa:

Skandal në Farmacinë Qendrore të QSUT-së

Raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit ka zbuluar se Farmacia Qendrore e QSUT-së ka mbajtur në gjendje aktive barna të skaduara, duke mashtruar sistemin dhe duke rrezikuar pacientët.

Konkretisht, në sistemin elektronik Pentaho figuronin si stok aktiv:

-19 flakonë Ifosfamide 1 g

-602 flakonë Methotrexate në dy formëdoza (500 mg dhe 50 mg/2 ml)

(Këto barna janë për të sëmurët me kancer)

KLSH shkruan:

“Pavarësisht se kanë skaduar, këto barna rezultojnë ende në sistemin Pentaho duke paraqitur risk për mbajtjen e stoqeve të skaduara në sistem dhe duke rritur artificialisht gjendjen e barnave.”

Kjo nuk është thjesht pakujdesi. Është dështim i drejtpërdrejtë i Farmacisë Qendrore, që nuk ka hequr barnat e skaduara nga përdorimi dhe ka manipuluar inventarin, duke krijuar përshtypjen e rreme se ka rezerva ndërkohë që pacientët mbeten pa trajtim.

Ajo që nuk dimë është se këto barna të skaduara, a janë përdorur mbi pacientë?

E frikshme kjo gjetje!

Kujtojmë që një vit më parë spitali i Onkologjikut në QSUT u përfshi nga një tjetër skandal pasi u zbulua se nuk kishte trajtim për pacientët e sëmurë me kancer duke mos u dhënë këtyre të fundit ilaçet falas që shteti duhet t'ua garantojë, por në vend të kësaj mjekët i shtynin të kryenin vizita në klinikat e tyre private. Versus.al

Poll