AKTUALITET /

"Baronët e drogës investonin pranë zyrës së Ramës", media britanike, The Sun: Çopjat vepronin haptas para autoriteteve

Dy mijë milje larg Shqipërisë, dy vëllezërit-bosë të drogës që qëndrojnë pas kompleksit gjigand të ndërtuar, drejtonin operacionin e tyre në mbarë Evropën nga një vend shumë më pak luksoz një shtëpi me tarracë në Londër.

Shkruar nga Versus

"Baronët e drogës investonin pranë zyrës së

Media britanike "The Sun" i ka kushtuar një artikull perandorisë me vlerë qindra miliona euro të klanit të drejtuar nga vëllezërit Hajdar e Franc Çopja. Në artikull, flitet për një resort të ndërtuar 20 minuta larg Tiranës. 

Shkrimi bazohet në aksionin e zhvilluar së fundmi nga SPAK dhe agjencitë e huaja për goditjen e grupit të kokainës me peshë ndërkombëtare dhe që drejtohej nga Ervis Çela dhe Franc Çopja. Për këtë të fundit, media britanike thotë se e drejtonte të gjithë perandorinë nga një banesë dy katëshe në Londër, ndërsa pasuria e tij u bë aq e madhe sa paratë nuk pastroheshin dot aq lehtë. 

Mes të tjerash, duke e cilësuar fakt tronditës, The Sun përmend se vëllezërit Çopja kishin investuar miliona euro për një vilë 500 metra larg zyrës së kryeministrit, nëpërmjet së cilës pastronin paratë.

Artikulli i The Sun, shkruar nga: Grace Macaskill

Në majë të një kodre shqiptare, një restorant qëndron madhështor, i rrethuar nga ullishtat dhe hardhitë e rrushit.

Në fund të një rruge të gjatë e të përthyer, të gdhendur në terrenin e ashpër malor, Solis Farm nuk është vetëm një atraksion i njohur turistik, por edhe një arritje e jashtëzakonshme e inxhinierisë.

Vetëm 20 minuta larg nga kryeqyteti, Tirana, ajo ofron një pamje panoramike të pakrahasueshme.

Por, pavarësisht vendndodhjes së largët, kur ‘The Sun’ e vizitoi javën e kaluar, siguria dukej jashtëzakonisht e rreptë për një restorant familjar dhe kamera ÇTV ishin vendosur përgjatë rrugës së pjerrët që të çon atje.

Nuk është çudi kur e mendon se kjo ndërmarrje me vlerë miliona paund thuhet se është ndërtuar mbi mjerimin që ka sjellë tregtia e pakontrolluar e drogës në Britani.

Dy mijë milje larg Shqipërisë, dy vëllezërit-bosë të drogës që qëndrojnë pas këtij kompleksi, drejtonin operacionin e tyre në mbarë Evropën nga një vend shumë më pak luksoz një shtëpi me tarracë në Londër.

Në një shtëpi tipike dykatëshe në lagjen Tottenham, Franc Çopja nuk ndahej kurrë nga telefoni, duke komanduar një “ushtri” gjeneralësh që ndiqnin çdo urdhër të tij, duke shkaktuar mjerim, kaos dhe vrasje.

Ditët i kalonte duke kontaktuar me trafikantë droge në Amerikën e Jugut, përpara se të organizonte pagesat për doganierë dhe punëtorë portesh të korruptuar që ndihmonin në kontrabandimin e miliona paundëve kokainë në Britani shumë prej tyre të fshehura në rimorkio.

Me më shumë britanikë se kurrë që konsumojnë kokainë, dhe me çmimet në Mbretërinë e Bashkuar dyfish më të larta se në kontinent, Çopja dhe vëllai i tij po aq famëkeq, Hajdari, kishin monopolizuar tregun.

Por gjithçka u rrëzua kur 50 kg kokainë u zhdukën përpara se të arrinin në strehën e tyre në Tottenham, duke shkaktuar një luftë të përgjakshme mes bandave.

Ekzekutim i trefishtë

Mungesa e drogës çoi në një konflikt me një bandë rivale shqiptare që la katër të vdekur, përfshirë një armik të vrarë në një atentat në mes të ditës që tronditi Belgjikën.

Franc Çopja, 33 vjeç, u arratis nga Londra drejt Dubait pas vrasjes dhe u ekstradua në Belgjikë në vitin 2023.

I frikësuar nga fati i të vëllait, Hajdari, 40 vjeç, besohet se është në arrati nga Dubai, ku jetonte afër Francit në një vilë. Burime të ndryshme tregojnë se ai mund të jetë duke u fshehur te kontaktet e tij të trafikut të drogës në Amerikën e Jugut.

Vëllezërit kërkohen për tre vrasje dhe për trafik ndërkombëtar droge në vendin e tyre të origjinës — dhe dëshmitari kryesor i prokurorisë është një anëtar i bandës rivale, i cili ka hedhur dritë mbi mënyrën se si ata vepronin në Mbretërinë e Bashkuar.

Një burim na tha: “Është diçka vërtet shpërthyese. Asnjëherë më parë nuk është zbuluar kaq qartë se si bandat shqiptare e menaxhojnë aktivitetin e tyre në Britani. Ata i paguanin zyrtarët në porte dhe fitonin miliona. Paratë e pista i pastronin në Shqipëri përmes bizneseve ‘të respektueshme’, por tani perandoria e tyre është në prag të shkatërrimit”.

Në Shqipëri, prokurorët specialë kundër korrupsionit pranë strukturës së njohur si SPAK kanë sekuestruar pasuritë e vëllezërve, të cilët ishin bërë aq të fuqishëm sa diktonin çmimin e kokainës në të gjithë Evropën.

Ato përfshijnë 10 milionë paund në kriptomonedha, tokë, vila, kompani dhe llogari bankare.

Ne mundëm të zbulojmë se ndër pasuritë e sekuestruara është edhe Solis Farm në fshatin Baldushk. Kur shkuam për të parë restorantin, jashtë ndodhej vetëm një Mercedes luksoz, i cili po ruhej nga një “kujdestar”.

Banorët vendas treguan se janë punësuar për të kujdesur për fushat e gjera me ullinj, ndërsa rrushi i paprekur po kalbet në hardhi. Pak minuta më tutje me makinë, në kryeqytetin e Shqipërisë, katër apartamente luksoze, që besohet se u përkisnin vëllezërve, janë sekuestruar gjithashtu.

Aty, banorë të pasur me makina sportive shijojnë luksin e një pishine të përbashkët, ndërsa flamujt shqiptarë, britanikë dhe amerikanë valëviten në shtylla.

Ajo që është edhe më tronditëse, është fakti se vëllezërit vepronin hapur përpara syve të autoriteteve, duke investuar paratë e tyre në një vilë të quajtur Gjuta, vetëm 500 metra larg zyrës së kryeministrit të vendit, Edi Rama.

Autoritetet thonë se gjithçka që zotërojnë vëllezërit, do të konfiskohet nga shteti dhe më pas do të shitet në ankand, nëse shpallen fajtorë. Ata e nisën karrierën e tyre kriminale në të ashtuquajturin qytet të bandave – Elbasan, një qytet në Shqipërinë qendrore i njohur për dhunën.

Sipas prokurorëve të SPAK, vëllezërit filluan me trafik droge në shkallë të vogël në Itali në vitin 2006, por shumë shpejt e zgjeruan aktivitetin në Belgjikë, Holandë dhe më pas në Britani, ku u vendosën në Tottenham.

Thuhet se ata paguanin punonjësit e porteve që të linin të kalonin kamionë dhe rimorkio të mbushura me drogë pa kontroll.

Prokurorët e SPAK, Altin Dumani dhe Vladimir Mara, thanë për bandën: “Ajo kishte kapacitetin të ndikonin drejtpërdrejt në çmimin e kokainës në tregjet evropiane dhe të menaxhonin sasi të mëdha narkotikësh në periudha shumë të shkurtra”.

Breshëri plumbash

Por fati i vëllezërve Çopja filloi të merrte tatëpjetën pasi Franci u zhvendos në Britani dhe 50 kg kokainë u zhdukën.

Kjo çoi në një konflikt të hapur me familjen rivale Alibej, pasi secila palë fajësoi tjetrën për vjedhjen e drogës.

Sipas prokurorëve shqiptarë, vëllezërit morën hak me një ekzekutim trefishtë.

Endrit Alibej, Arben Dylgjeri dhe shtetasi turk Erdal Durunay u vranë brenda Range Rover-it të tyre kur mbi ta u qëllua me breshëri plumbash nga kallashnikovë në fshatin Bradashesh, në Shqipërinë qendrore, në vitin 2018.

SPAK beson gjithashtu se Franc Çopja është personi pas vrasjes me pagesë të kreut të klanit Alibej, Ardi Spahiu, në Belgjikë.

Në një krim që tronditi vendin, Spahiu sapo kishte dalë nga një kafene në nëntor të vitit 2020, kur u ekzekutua me 18 plumba, tetë prej të cilëve e goditën.

Thuhet se më pas vëllezërit morën pjesë në 14 atentate të tjera, të kryera ose të tentuara, kundër rivalëve, sipas zyrtarëve shqiptarë.

Ndërsa numri i viktimave rritej, disa anëtarë të bandës Alibej vendosën të bashkëpunonin me drejtësinë, dhe vëllai i viktimës së vrarë, Endrit Alibej, është tani dëshmitari kyç në çështjen kundër Çopjave.

Erion Alibej tregoi në një gjykatë shqiptare se si ishte rekrutuar nga dyshja për të udhëtuar në Londër, pasi vëllai i tij i madh, Endriti, u detyrohej para për drogë.

Alibej, i cili ishte kontrabanduar në Londër në pjesën e pasme të një kamioni, përshkroi se i gjithë operacioni i drogës i Çopjave drejtohej nga Franci nga një shtëpi në Tottenham, ndërsa Hajdari merrej me logjistikën nga Shqipëria.

Ai tha: “Këmbëngula të shkoja në Angli për të punuar, sepse Endriti kishte borxhe dhe doja ta ndihmoja t’i shlyente. Shkova me kamion”.

“Në Angli shkova në shtëpinë e Franc Çopjas, i cili jetonte në Tottenham, dhe ai kontrollonte gjithçka me telefon. Në fillim qëndrova te një xhaxha, sepse ai kishte një ide se çfarë pune do të bëja. Munda të siguroja furnizime dhe të shisja kokainë, por hasa vështirësi për t’u kthyer në shtëpi. Hajdar Çopja ishte një transportues shumë i sigurt droge me rimorkio kuajsh, duke filluar nga Gjermania, e deri në Belgjikë e Holandë. Arrita të shlyej një borxh shumë të madh që Endriti kishte në atë kohë. Bëra një punë të mirë dhe të madhe, aq sa tërhoqa vëmendjen”.

Të mbajtur peng

Ai e përshkroi operacionin në Londër si një “kohë krize” pasi policia kishte kapur një ngarkesë droge të fshehur në një rimorkio kuajsh.

Sipas burimeve, edhe pse vëllezërit kishin aq shumë para sa që mund të përballonin humbjen e një në tre ngarkesave të drogës, ata u tërbuan kur 50 kg kokainë u zhdukën përpara se të mbërrinin në Londër.

Alibej i tregoi një gjykate në Shqipëri se korrieri që kishte humbur ngarkesën u mbajt peng për dy javë dhe u rrah brutalisht deri sa u mbulua me plagë dhe mavijosje.

Perandoria kriminale e Çopjave u rrëzua pasi policia ndërhyri në aplikacionin e koduar të mesazheve “Sky ECC” në vitin 2021, të cilin vëllezërit e përdornin për të shkëmbyer qindra mesazhe sekrete.

Sipas Europol, komunikimet e koduara zbuluan detaje tronditëse për vrasje dhe tentativa vrasjeje, si dhe foto e video të torturave.

Franc Çopja bashkëpunonte ngushtë me gangsterin tjetër shqiptar Ervis Çela, 41 vjeç një nga figurat më të pamëshirshme të tregtisë së kokainës i cili dyshohet se kontrabandoi 28 tonë kokainë nga Paraguai drejt Antverpës dhe Hamburgut midis viteve 2020 dhe 2021.

Drogat u zbuluan të fshehura në kuti sapuni, kanoçe boje dhe ngjitës industrialë. Çela ishte i kërkuar në Itali për torturimin dhe vrasjen e një rivali kur u arrestua në Shqipëri në qershor të këtij viti.

Tregu britanik i drogës është jashtëzakonisht fitimprurës — një kilogram kokainë vlen rreth 40,000 £, krahasuar me rreth 20,000 £ në Evropë.

Sipas një raporti të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) në vitin 2023, Britania është konsumatori më i madh i kokainës për frymë në Evropë dhe i dyti në botë pas Australisë.

Ndërkohë, në Shqipëri, bandat kriminale po injektojnë sasi të mëdha parash në ekonomi, duke deformuar tregun financiar, sipas një eksperti.

Zef Preçi, drejtori i Qendrës Shqiptare për Kërkime Ekonomike, tha: “Grupet e krimit të organizuar në Shqipëri e kanë rritur ndjeshëm pasurinë e tyre dhe po përdorin çdo mënyrë për ta futur atë në ekonominë e vendit përmes skemave të pastrimit të parave. Ndërsa në nivel global fondet e tilla të paligjshme përbëjnë mesatarisht 2–5% të PBB-së, në Shqipëri niveli besohet të jetë dukshëm më i lartë”.

Banda Çopja–Çela kishte aq shumë para sa nuk arrinte t’i pastronte mjaftueshëm shpejt.

Mesazhet e koduara tregojnë se Ervis Çela madje kishte sugjeruar që eurot të varroseshin në Shqipëri nën rrënjët e ullinjve ashtu siç janë ato në kompleksin gjigant të restorantit të Çopjave. Versus.al

Poll