
Partia Demokratike dhe Partia Socialiste bashkojnë votat në Komisionin e Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS), duke rrëzuar kërkesën për rinumërimin e votave preferenciale nga katër kandidatë të Partisë Demokratike. Me një rezultat votimi 4 me 1, KAS vendosi se Ilir Alimehmeti, Mimoza Hajdarmataj, Lisandër Hoxha dhe Ilirjana Kuçana nuk mund të konsiderohen palë të ligjshme për të kërkuar rinumërimin e votave të tyre.
Vendimi i KAS-it është marrë me arsyetimin se e drejta për të kërkuar rinumërim i përket vetëm subjektit politik dhe jo kandidatëve individualë. Përfaqësuesit e PD-së në KAS votuan kundër kandidatëve të vet.
Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS), kompetent për shqyrtimin e ankimimeve administrative dhe për vendosjen e sanksioneve për shkeljet e ligjit zgjedhor , i cili shqyrton dhe zgjidh në rrugë administrative ankesat ndaj akteve të Komisionerit dhe KZAZ-ve përbëhet nga Ilir Rusmajli, Elvis Çefa, Elvin Lako, Koli Bele dhe Ledio Braho. Katër nga pesë antarët votuan kundër kërkesës së depozituar nga 4 ish-kandidatët e djathtë.
Kryedemokrati Sali Berisha ishte shprehur publikisht vetëm disa ditë më parë se mbështeste çdo përpjekje për transparencë në zgjedhje.
“Ne nuk e bllokojmë askënd që të kërkojë transparencë,” ishte shprehur Berisha, ndërkohë që PD bashkoi votat për (mos)numërim të votave preferenciale.
Alimehmeti: “Vendim artificial dhe formalist”
Në një reagim të menjëhershëm për mediat, Ilir Alimehmeti kritikoi ashpër vendimin, duke e cilësuar si një “artificë të pakuptimtë ligjore” që anashkalon thelbin e kërkesës së tyre.
“De facto, nuk u morën me përmbajtjen, por me një formë teknike. Ne paraqitëm prova konkrete për parregullsi, përfshirë mospërputhje mes procesverbaleve dhe videove të numërimit,” u shpreh ai.
Edhe kandidatja Ilirjana Kuçana ngriti akuza për tjetërsim të votës, duke pretenduar se kishte identifikuar raste ku votat e saj ishin kaluar në mënyrë të dyshimtë te kandidatët e tjerë.
I vetmi anëtar i KAS-it që votoi në favor të kandidatëve ishte Ilir Rusmali, i cili mbrojti të drejtën e tyre për të kërkuar rinumërim. Ai deklaroi se kandidatë të pavarur duhet të jenë në gjendje të kontestojnë fatin e votës së tyre kur ekzistojnë indicie të forta për parregullsi. Nga ana tjetër, anëtari i KAS-it, Ledio Braho, deklaroi se vendimi është në përputhje të plotë me Kodin Zgjedhor, ku përcaktohet se vetëm subjektet politike kanë të drejtën për të kërkuar rinumërim të votave.
“Ky është një standard i vendosur që prej zgjedhjeve të vitit 2021. Ligji është i qartë dhe ne i qëndrojmë atij,” u shpreh Braho. /Versus.al/







