POLITIKË /

Berisha denoncoi për ‘Tren Bullgar’ në Peqin, KQZ: Nuk kanë dalë fletë votimi nga kutitë e Pekishtit

Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve ka bërë një deklaratë sa i takon akzuës së Berishës për “Trenin Bullgar” në Peqin.

Shkruar nga Versus
Berisha denoncoi për ‘Tren Bullgar’ në Peqin, KQZ: Nuk
Fotot e shpërndara nga Berisha

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka hedhur poshtë zyrtarisht pretendimet e Partisë Demokratike për të ashtuquajturin “tren bullgar” në Peqin, ku opozita akuzonte Partinë Socialiste për manipulim të procesit përmes përdorimit të fletëve të votimit jashtë sistemit zyrtar.

Pasi Policia e Shtetit konstatoi se fletët e kapura në një lokal privat nuk ishin fletë votimi, por materiale trajnuese pa vlerë ligjore, tashmë është edhe KQZ që vërteton të njëjtën gjë. Sipas një përgjigjeje zyrtare të datës 30 maj, Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi i është drejtuar përfaqësuesit ligjor të PD-ADSHM, Franc Nuri, me konkluzionin se asnjë fletë votimi e papërdorur nuk rezulton të ketë dalë nga kutitë zyrtare të KZAZ nr. 45, në fshatin Pekisht, Peqin.

“Gjatë procesit të marrjes në dorëzim të bazës materiale të dërguar nga KZAZ nr. 45, Peqin, nuk është evidentuar ndonjë rast ku fletë votimi të papërdorura të jenë administruar jashtë kutive të materialeve zgjedhore të kësaj KZAZ-je,” thuhet në shkresën zyrtare të Celibashit.

PD e bëri publike akuzën më 22 maj, përmes deputetit të sapozgjedhur të Elbasanit, Blendi Himçi, duke pretenduar se kishte gjetur fletë votimi në ambientet e një lokali në pronësi private.

Por verifikimi i kryer tregoi se bëhej fjalë për fletë prove, të përdorura për trajnim dhe demonstrime teknike, të cilat nuk përmbanin as vulën e KQZ-së dhe as nënshkrime, duke i përjashtuar automatikisht nga çdo funksion ligjor në procesin zgjedhor.

Pavarësisht konfirmimit të autoriteteve, PD ka kërkuar edhe një ekspertim të pavarur, duke dërguar shkresa shtesë, por deri më tani asnjë provë e re që mbështet pretendimet e saj nuk është paraqitur.

Si KQZ, ashtu edhe Policia e Shtetit kanë rrëzuar në mënyrë të njëzëshme akuzat e PD-së, duke e cilësuar çështjen e “trenin bullgar” si të pabazuar dhe të pastër politikisht. Versus.al

Poll