AKTUALITET /

Berisha, dhëndri dhe 3 të pandehurit kaluan për gjykim, caktohet seanca e parë për “Partizanin”

Trupa gjykuese kryesohet nga gjyqtarja Elsa Ulliri e cila njihet për dënimin ndaj ish-kryebashkiakut të Durrësit, Vangjush Dakos dhe kryebashkiakut të Rrogozhinës, Edison Memolla.

Shkruar nga Versus
Berisha, dhëndri dhe 3 të pandehurit kaluan për gjykim, caktohet
Sali Berisha dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi

Më 30 qershor në orën 10:00 të mëngjesit do të mbahet seanca e parë në themel për dosjen e privatizimit të ish-kompleksit sportiv “Partizani” për të cilën janë marrë të pandehur kryedemokrati Sali Berisha, dhëndri i tij Jamarbër Malltezi dhe 3 të tjerë.

Dosja kaloi për gjykim më 19 maj të këtij viti. Shorti përcaktoi se do të jetë gjyqtarja e posaçme Elsa Ulliri ajo që do të shpallë vendimin përfundimtar për fatin e kryetarit te Partisë Demokratike dhe të dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezi. Gjyqtarët Bib Ndreca dhe Rudina Palloi janë dy anëtarët e trupës gjykuese.

Ndërsa më herët, avokatët e Berishës kishin kërkuar përjashtimin e gjyqtares Flojera Davidhi e cila kaloi për gjykim dosjen.

Avokati i Berishës, Genc Gjokutaj ka bërë me dije për mediat se nuk do të kërkohet gjykim i shkurtuar për kreun e PD dhe se do të përballen me të gjitha pretendimet e SPAK lidhur me akuzën për “korrupsion pasiv”.

Të pandehurit e tjerë për dosjen “Partizani”:

Dhëndri i Berishës, Jamarbër Malltezi akuzohet se ka kryer veprat penale “korrupsion aktiv” dhe “pastrim parash”

Fatmir Bektashi, ndërtuesi  akuzohet  për kryerjen e veprave penale të “Korrupsionit aktiv të funksionarëve të lartë shtetërorë”, parashikuar nga neni 245 i Kodit Penal dhe 'pastrim parash'

Xhimi Begeja- Ortaku i Malltezit, trashëgimtar i tokës dhe bashkëpronar i 'Homeplan'  akuzohet për 'Pastrim Parash'

Andia Pustina- Financierja që kryente të gjitha operacionet financiare dhe ligjore të Homeplan sh.p.k -  Akuzohet për 'Pastrim Parash'. Versus.al

Poll