
Tiranë- Ëngjëll Cani, babai i 14 vjeçarit M.C që u vra pranë shkollës “Fan Noli” ka dëshmuar për herë të parë në polici rreth ngjarjes.
Në deklarimet e dhëna për llogari të hetimeve që po kryhen nga prokuroria e Tiranës, babai i të miturit të vrarë tha se nuk ka pasur asnjë dijeni nga shkolla lidhur me konfliktin që kishte pasur i biri me autorin M.P 4 ditë para krimit që tronditi vendin.
I pyetur nga oficerët e policisë nëse familjarët e autorit e kanë kontaktuar, Ëngjëll Cani u shpreh se ende nuk ka patur asnjë ndërveprim me ta. Sa i takon mënyrës së informimit për ngjarjen, babai i të ndjerit tha se vetëm njëherë ishte kontaktuar bashkëshortja e tij nëpërmjet një telefonate. Më pas nuk iu është ngritur telefoni nga stafi i shkollës.
Gjithashtu Canit iu kthyen sendet e të birit M.C brenda çantës që mbante me vete në ditën kur u vra me thikë nga bashkëmoshatari i tij.
Ky i fundit ndodhet nën masën “arrest me burg” në institutin e të miturve në Kavajë dhe pret vendimin e Apelit të gjykatës së Tiranës sa i takon ankimimit të masës duke pretenduar se krimin e rëndë e kishte kryer në kushtet e vetëmbrojtjes. Versus.al








