
Gazetarja Anduena Llabani ka folur në News24 lidhur me raportimin e bërë dje në komisionin për Çështjet Ligjore nga kreu i SPAK, Altin Dumani. Ajo u shpreh se bindur se Dumani do ta mbyllë mandatin e tij si kryeprokuror i posaçëm me rezultate edhe më të larta. Ndërsa sipas saj, e ardhmja e tij nuk do të jetë në Shqipëri.
‘’Dumani na iluminoi dhe na tha se ka një hetim për dosjen McGonigal dhe se priten shumë letërporosi nga SHBA që kanë një instrument që e ka vënë në lëvizje prokurorinë e posaçme. Nuk do i vendos notë Dumanit, por them se më mirë se ai nuk ka prokuror tjetër që mund ta bëjë punën më mirë.
Besoj se ai nuk do ta mbyllë karrierën e tij pa rezultate shumë të larta për shkak edhe të një reference që do të ketë në Bruksel. Kështu që unë besoj se do jetë në Bruksel shumë shpejt para përfundimit të mandatit. Besoj se do të shkojë me rezultate shumë të larta, mos të harrojmë se në SPAK merren veprime për njerëz që deri dje ishin të paprekshëm. Le të themi se e ardhmja e Dumanit nuk do jetë në Shqipëri’’- tha Llabani.
Mes të tjerash përmendi faktin se SPAK është vënë në veprim për hetimet ndaj dosjes së pronave të ushtrisë ku përmendet edhe ish-ministrja Olta Xhaçka.
‘’Janë dosjet aty, janë hapur. Sot patëm një vendim apo veprim në orët e fundit të pasdites pas 4 vitesh e gjysmë hetimesh. Një prej prokurorëve ka kërkuar që dosja ndaj ish-ministres Olta Xhaçka për pronat e ushtrisë, të ketë veprime konkrete’’- shtoi gazetarja. Versus.al







