Gruaja që shihni në foto është Gabriela Martinez, një shtetase kolumbiane, e dyshuar si organizatore e një rrjeti prostitucioni në Tiranë, i cili u godit nga Policia e Kryeqytetit.
Operacioni i koduar “Orkidea” çoi në prangosjen e 8 personave, ndërsa 3 të tjerë janë shpallur në kërkim, mes tyre edhe vetë Martinez. Ndërkohë, janë proceduar penalisht 44 gra të huaja nga Amerika Latine, të cilat akuzohen për ushtrim prostitucioni.
Në pranga kanë rënë edhe shtetasit: Esmerald Sulollari, Elona Muraj, Yuly Gomez, Liliana Valencia, Nicol Benitez, Stefania Marin, Nicole Bertel dhe Anisa Brahaj.
Sipas hetimeve, 47-vjeçarja Gabriela Martinez drejtonte aktivitetin kriminal nga Kolumbia, në bashkëpunim me Esmerald Sulollarin, 39 vjeç, i cili siguronte kushtet e nevojshme në Shqipëri për zhvillimin e këtij aktiviteti të paligjshëm.
Gjithashtu, tutorja Martinez dhe Sulollari bashkëpunonin edhe me një punonjëse policie, Anisa Brahaj, e cila dyshohet se ndihmonte në sistemimin dhe përshtatjen e ambienteve ku gratë do të ushtronin prostitucionin. /Versus.al/







