AKTUALITET /

E uroi Metën për Vitin e Ri? Kryemadhi: S'kam lidhje me të, ata që e iluminuan kundër meje do marrin përgjigje

Para gazetarëve Kryemadhi deklaroi se do të përpiqet të ndihmojë në fitoren e opozitës në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.

Shkruar nga Versus
E uroi Metën për Vitin e Ri? Kryemadhi: S'kam lidhje me të,
Deputetja e PL, Monika Kryemadhi

Deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi u paraqit sot në SPAK për të marrë fashikujt e dosjes për të cilën akuzohet për 3 vepra penale. Në dalje gazetarët e pyetën nëse kishte pasur kontakt me kreun e PL, Ilir Metën i cili prej 21 tetorit është i arrestuar.

Kryemadhi u përgjigj duke thënë se nuk ka lidhje me të, ndërsa deklaroi se të gjithë personat që sipas saj kanë ndikuar tek ish-bashkëshorti i saj duke shpifur për të, do të marrin përgjigjen gjatë këtij viti.

“S’kam si të uroj një person që nuk ka lidhje me mua. Unë uroj që të gjithë njerëzit që e ndriçojnë zotin Meta me shpifje të tilla, të marrin përgjigje në 2025-ën, siç po ndodh me disa. Armiqtë dihet kush janë, ata që kanë shpifur pafund për Monika Kryemadhin”- tha deputetja.

Ajo shtoi se do të vijojë me denoncimet për inceneratorin e Tiranës ndërsa pati edhe diçka për të thënë për rastin e kryebashkiakut Erion Veliaj.

“Do vij patjetër për aferën e Inceneratorëve. E përgëzoj Ramën që doli në mbrojtje të Erion Veliajt kur tha se po e intimidonin dhe linconin familjen, kur harron sesi janë intimiduar dhe lincuar familjarë të mi dhe shqiptarë të tjerë. Erioni të vijë të përgjigjet këtu, siç përgjigjen të gjithë shqiptarët. Kemi miratuar atë reformën në drejtësi, ta bëjmë siç duhet dhe jo ta bëjmë Ramaformë”- shtoi Kryemadhi.

Sa i takon zgjedhjeve parlamentare, Kryemadhi tha se do të bëjë përpjekje që opozita të dalë fitimtare duke folur për shumë çështje të ndryshme.

“Unë do bëj maksimumin që opozita të fitojë. Do flas më shumë se disa të tjerë që duan të bëhen deputetë. Sepse mendoj se cështja e rikthimit të opozitës në pushtet ka të bëjë me demokracinë e brendshme. Ne e kuptojmë shumë mirë se të pakapshmit nuk janë as gazetarët dhe as ne që nuk kemi qenë ndonjëherë në pushtet, të pakapshmit janë ata që firmosin Gjadrin, Sazanin etj. Theksoj se drejtësia nuk ka të bëjë as me lincimin”- deklaroi Monika Kryemadhi. Versus.al

Poll
Më poshtë do të gjeni dhe kandidatët e Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike për të gjitha qarqet: