
Policia e Shtetit ka njoftuar se 11 shtetas janë arrestuar në flagrancë dhe 15 të tjerë janë proceduar penalisht, pas protestës së zhvilluar më 17 prill 2026 në Tiranë, e organizuar nga Partia Demokratike.
Sipas policisë, gjatë tubimit janë përdorur mjete piroteknike dhe lëndë djegëse (molotov), të cilat janë hedhur në drejtim të forcave të rendit dhe godinës së Kryeministrisë.
Si pasojë e këtyre akteve, 5 punonjës policie kanë mbetur të dëmtuar dhe kanë marrë ndihmë mjekësore, duke qenë jashtë rrezikut për jetën.
Në ndërhyrjen e shërbimeve të policisë janë sekuestruar 45 mjete të dyshuara molotov, të përgatitura nga disa prej pjesëmarrësve, të cilat dyshohet se do të përdoreshin gjatë vijimit të protestës.
Policia bën me dije se të arrestuarit akuzohen për disa vepra penale, përfshirë “goditje për shkak të detyrës”, “prishje të qetësisë publike”, “shkatërrim prone me zjarr” dhe “kundërshtim të punonjësit të rendit publik”.
Gjithashtu, është referuar në Prokurori edhe deputeti Klevis Balliu, për veprën penale “organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime të paligjshme”, si dhe një tjetër ish-kandidati për deputet, Aulon Kalaja për “goditje për shkak të detyrës”.
Hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në incidente gjatë protestës, ndërsa materialet i janë kaluar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.
Emrat e të arrestuarve
Klemend Çuçka
Bujar Tusha
Henri Shapllo
Mirvet Toçilla
Igball Domi
Semi Bici
Bardhyl Ndou
Gentjan Tuga
Edison Shyti
Sokol Bajraktari
Ernest Kapo
Njoftimi i Policisë:
Hodhën lëndë djegëse (molotovë) dhe lëndë piroteknike, kundërshtuan dhe goditën punonjësit e Policisë gjatë tubimit të zhvilluar më datë 17.04.2026, arrestohen në flagrancë 11 shtetas.
Procedohen penalisht 15 shtetas të tjerë.
Gjatë tubimit, si pasojë e sulmit me bomba molotov dhe lëndë piroteknike, u dëmtuan 5 punonjës policie.
Në momentin e ndërhyrjes, shërbimet e Policisë sekuestruan 45 molotovë, që disa protestues i kishin përgatitur për të vijuar sulmin ndaj punonjësve të Policisë dhe institucioneve shtetërore.
Gjatë zhvillimit të tubimit të organizuar nga subjekti politik Partia Demokratike, më datë 17.04.2026, disa prej pjesëmarrësve janë kapur në flagrancë duke hedhur lëndë djegëse (molotovë) dhe lëndë piroteknike në drejtim të godinës së Kryeministrisë, si dhe kanë kundërshtuar dhe goditur me molotovë dhe lëndë piroteknike punonjësit e Policisë së Shtetit, të cilët ishin të angazhuar për garantimin e rendit dhe sigurisë publike.
Si pasojë, 5 punonjës policie mbetën të dëmtuar gjatë tubimit, të cilët morën mjekim në spital dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Në vijim të veprimeve për dokumentimin ligjor të akteve të dhunës dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Tiranë arrestuan në flagrancë shtetasit K. Ç., 38 vjeç; B. T., 29 vjeç; H. Sh., 30 vjeç; M. T., 50 vjeç; I. D., 18 vjeç; S. B., 25 vjeç; B. N., 42 vjeç; G. T., 48 vjeç; E. Sh., 37 vjeç; S. B., 55 vjeç dhe E. K., 32 vjeç, për veprat penale “Goditje për shkak të detyrës”, “Prishja e qetësisë publike”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të rendit publik”.
Gjithashtu, nisi procedimi penal për shtetasit: A. T., 20 vjeç; A. C., 51 vjeç; A. R., 25 vjeç; N. M., 30 vjeç; R. N., 25 vjeç; Nj. S., 25 vjeç; E. N., 27 vjeç; D. K., 30 vjeç; E. B., 39 vjeç; A. Z., 20 vjeç; A. P., 20 vjeç dhe 2 shtetas të mitur, 16 vjeç dhe 17 vjeç, për veprën penale “Prishja e qetësisë publike”.
Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin K. B., deputet, për veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”, si dhe për shtetasin A. K., për veprën penale “Goditje për shkak të detyrës”.
Grupi hetimor vijon punën për identifikimin e shtetasve të tjerë që mund të kenë kryer veprime të kundërligjshme gjatë tubimit të zhvilluar dje.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme./Versus.al


