
Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i arrestuar në shkurt të vitit të kaluar ka shpenzuar rreth 220 mijë dollarë për të lobuar në SHBA kundër prokurorit Ols Dado, gjyqtarit të posaçëm Erion Bani dhe Prokurorisë së Posaçme (SPAK).
Një dokument i rrjedhur në media tregon se Veliaj ka përshkruar Dado-n si anëtar aktiv të Partisë Demokratike dhe zhvillues pronash të refuzuar nga Bashkia, ndërsa akuzon SPAK-un se ka caktuar qëllimisht gjyqtari Banin me lidhje politike.
Dokumenti në anglisht, i fragmentuar, pretendon se prokurori Ols Dado është në konflikt interesi për shkak të anëtarësimit të tij në PD-në e drejtuar nga Sali Berisha, i sanksionuar nga SHBA.
Ai akuzohet se ka refuzuar një leje ndërtimi nga Bashkia Tiranë dhe po heton Veliajin pavarësisht mungesës së provave, duke e vendosur atë të vetëm në paraburgim.
''Hetimi i SPAK ndaj Erion Veliajt drejtohet nga prokurori Ols Dado, i cili është në konflikt interesi. Dado është anëtar aktiv i Partisë Demokratike, e drejtuar nga ish kryeministri Sali Berisha, i cili është sanksionuar dhe i është ndaluar hyrja në SHBA dhe Mbretërinë e Bashkuar. Berisha dhe Partia Demokratike synuan rikthimin në pushtet në zgjedhjet e 11 majit.
Nga ana tjetër, Dado është edhe zhvillues pronash në Tiranë. Ai ka paraqitur pranë Bashkisë një kërkesë për ndryshimin e një lejeje ndërtimi për një pronë, por kjo kërkesë është refuzuar. Në një situatë të pazakontë dhe problematike, ai sot po heton Erionin, si edhe ndërtues të tjerë, të cilëve u janë miratuar leje ndërtimi në Tiranë.
Nuk ka asnjë provë për shkelje ligjore në procesin e miratimit apo refuzimit të këtyre lejeve. Megjithatë, Erioni është i vetmi person nën hetim që është vendosur në paraburgim.
Gjyqtarët e SPAK caktohen sipas një sistemi rotacioni. Në këtë rast, SPAK duket se është siguruar që çështja e Erionit t’i caktohej një gjyqtari me lidhje të njohura me Partinë Demokratike" (e ka fjalën për Erion Banin)", thuhet në dokumentin që ka rrjedhur në media.

